2011-09-02 17:13:59

Papa pret në audiencë ipeshkvijtë indianë. Kardinali Gracias: të krishterët shpallin Ungjillin e dashurisë, pavarësisht nga vështirësitë


Vazhdon në Vatikan vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Indisë. Benedikti XVI priti sot paradite në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos një grup tjetër prelatësh, të cilët e informuan Papën mbi gjendjen e pakicës së vogël të krishterë në këtë vend të madh hinduist. Pas dhunës së fondamentalistëve hinduistë në Orisa, në vitin 2008, edhe gjatë javëve të fundit ka pasur sulme të reja kundër bashkësive të krishtera. Të dëgjojmë kardinalin Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit:

I folëm Papës për sfidat tona. Jemi pak, vetëm 2% e popullsisë, por kemi një ndikim të madh moral në vend. Në veçanti, sfida e dialogut ndërfetar… Shpesh njerëzit nuk e kuptojnë Ungjillin e Krishtit, që na thotë ta jetojmë jetën me dashuri, në shërbim, duke i çuar Lajmin e Mirë të gjithëve. Por, dikush ka frikë nga Ungjilli e disa parti politike e instrumentalizojnë këtë frikë, duke pohuar se feja hinduiste është në rrezik nga predikimi i krishterë. Njerëzit e thjeshtë u besojnë e prej këndej rrjedh urrejtja për të krishterët e për Ungjillin e Krishtit. Por janë fondamentalistët ata, që përfitojnë nga feja për të marrë pushtet. Fillimisht, qeveria lokale në Orisa nuk bëri absolutisht asgjë. Të krishterët u persekutuan, fshiheshin në pyje, por pas pak kohe, qeveria qendrore deklaroi se ky qëndrim është turp për vendin. Atëherë, edhe qeveria lokale filloi t’i ndihmojë disi të krishterët. Nuk mund të them se nuk kemi probleme, por gjendja po përmirësohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.