2011-09-02 16:18:57

Papa: katolikët e ortodoksët kanë të njëjtat sfida, ta kumtojnë së bashku Ungjillin.


“Skenarët aktualë kulturor, shoqëror dhe ekonomik vënë para katolikëve dhe ortodoksëve të njëjtat sfida”. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në letrën dërguar Presidentit të Këshillit të Vatikanit për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve, kardinalit Kurt Koch, me rastin e Simpoziumit të XII mes të Krishterëve mbi temën “Dëshmia e Kishës në botën bashkëkohore”, që u mbajt këtyre ditëve në Selanik të Greqisë.
Në botën bashkëkohore, që shpesh është e “hutuar” dhe e “pandjeshme” ndaj Ungjillit, megjithatë ekziston një “nostalgji e thellë për Zotin”, dhe katolikët e ortodoksët së bashku mund të ofrojnë një dëshmi të madhe të fesë së krishterë. Kështu shkruan mes të tjerash Papa Benedikti XVI në Mesazhin e tij dërguar me rastin e Simpoziumit të 12-të mes të Krishterëve që përfundoi sot në Selanik. Takimi ekumenik, që filloi më 30 gusht, u organizua nga Instituti Françeskan i Spiritualitetit, pranë Universitetit romak Antonianum dhe nga Fakulteti Teologjik Ortodoks pranë Universitetit Aristoteles i Selanikut.
Dashuria e pasioni për Krishtin dhe dinamizmi misionar për t'i shndërruar zemrat, në të cilat, edhe përballë ndikimit negativ të shekullarizimit të sotëm, “nostalgjia e thellë për Zotin” ekziston dhe nuk është e paktë. Njeriu i sotëm bashkëkohor pra e kërkon dhe anon drejt Hyjit e nostalgjinë e tij për Krijuesin e shfaq në mënyra të ndryshme. Për këtë është i bindur Benedikti XVI i cili, në fund të Mesazhit të tij drejtuar mbi 300 pjesëmarrësve të Simpoziumit të Selanikut mes të Krishterëve, shton se, “për një përtëritje të kumtimit të Ungjillit”, nevojiten njerëz të fortë, të qëndrueshëm, “ungjillëzues përplot me zellin apostolik të shën Palit Apostull”. Aktualiteti i ungjillëzimit të ri në qendër të shqetësimeve e të lutjeve të mia”, theksoi Papa, ka karakterizuar reflektimet dhe ligjëratat e Simpoziumit të 12-të të Selanikut mes të Krishterëve, në të cilin takim katolikët e ortodoksët kanë shkëmbyer mendimet dhe dëshmitë e tyre rreth temës “Dëshmia e Kishës në botën bashkëkohore”.
Një dëshmi kjo, që sot është e nevojshme, ripohoi edhe një herë Benedikti XVI, “për një gjallëri e fuqi të re në shumë rajone, të cilat qenë të parat që e pranuan dritën” e Ungjillit”, e që tani po përjetojnë “efektet e një shekullarizimi që e varfëron përherë më shumë njeriun në përmasën më të thellë të tij”. E para kësaj situate dhe para sfidave të tjera që janë të përbashkëta, vijoi Papa, buron përgjegjësia e katolikëve dhe ortodoksëve, për të dëshmuar vlerën dhe bukurinë e Ungjillit në botën bashkëkohore. “Njohja e ndërsjelltë e traditave tona dhe miqësia e sinqertë përfaqësojnë – siguroi Papa - atë kontribut që duhet dhënë për kauzën e bashkimit të të krishterëve”. Sepse “fati i ungjillëzimit – kujtonte Pali VI, cituar nga Papa Ratcinger – lidhet dhe varet qartë nga dëshmia e bashkimit që Kishat japin para botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.