2011-09-02 18:24:32

Ministri i Jashtëm E. Hoxhaj kërkon fundin e strukturave ilegale në veri të Kosovës.


Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen franceze "La Croix", edhe një herë ka akuzuar Beogradin se po fsheh strukturat kriminale ilegale në veri të Kosovës.
Sipas MPJ-së kosovare, me këtë rast, Hoxhaj tha se Serbia duhet të shpërbëjë strukturat ilegale dhe kriminale të saj në Kosovë, si parakusht për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë në Kosovë.
"Serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë qendrore, Parlament dhe në gjashtë komuna. Plani i Ahtisaarit garanton të drejtat dhe përfaqësimin e minoritetit serb si askund tjetër në Evropë. Ky plan duhet të zbatohet në veri të Kosovës. Është koha që Serbia të shpërbëjë strukturat shtetërore dhe paramilitare", ka shtuar Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm kosovar Hoxhaj, në këtë intervistë, sqaroi edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj mallrave serbe. Sipas Hoxhajt, Serbia në 3 vitet e fundit ka eksportuar mallra në Kosovë, ndërsa Republika e Kosovës e ka pasur të ndaluar të eksportojë në Serbi dhe përmes saj në Evropë.
"Kishte një asimetri. Gjatë pesë takimeve të para të dialogut, serbët kanë vonuar trajtimin e kësaj çështjeje. Me 21 korrik, ne shpresonim të flisnim për këtë, por ata bojkotuan dialogun. Kemi vendosur të aplikojmë reciprocitetin: nëse Serbia nuk pranon mallrat nga Kosova, edhe Kosova nuk pranon mallrat nga Serbia", ka theksuar Hoxhaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.