Në fund të shtatorit udhëtimi i tretë i Papës në Gjermani
Udhëtimi i tretë i Benediktit XVI në Gjermani, në vendlindje të tij, pas vizitës në
Këlnë më 2005 e në Bavari më 2006 sivjet do të paraprihet nga vizita e shkurt në Ankona
të Italisë me rastin e mbylljes së kongresit të 25-të Eukaristik kombëtar të Kishës
Italiane. Udhëtimi apostolik i Papës Ratcinger në Gjermani do të zhvillohet nga
data 22 deri më 25 shtatorin e ardhshëm në Berlin, Erfurt e Friburg, duke përshkuar
kështu vendet e Martin Luterit. Takimet politike e institucionale të Atit të Shenjtë
Ratcinger janë paraparë në ditën e 22 shtatorit, e do të kenë kulmin me takimin me
kancelaren federale të Gjermanisë Angela Merkel dhe me fjalimin e Papës në Reichstag
të Berlinit. Domethënës – nënvizon Shërbimi Informativ Fetar Gjerman – është edhe
takimi i Benediktit XVI me bashkësinë hebraike, që do të mbahet në një nga sallat
e Reichstagut. Dita e dytë e vizitës së Papës në Gjermani do të ketë karakter ekumenik
e ndërfetar, me takimin me bashkësinë islame, para transferimit në Erfurt, ku në kuvendin
e etërve agostinianë, që Luteri e kishte përzemër, do të mbahet takimi i parë i Benediktit
XVI me përfaqësuesit e Kishës ungjillore dhe pastaj kremtimi ekumenik. E shtuna
e 24 shtatorit hapet me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Katedralen e Erfurtit, vijon
më pas me vizitën në Katedralen e Friburgut. Këtu Papa do të ketë rastin për të përshëndetur
ish-kancelarin Helmut Kohl, në vijim do të pasojnë takimet e Benediktit me anëtarët
e Kishave ortodokse, me seminaristët dhe me Këshillin e Komitetit qendror të katolikëve
gjermanë (Zdk). Në përfundim, në panairin e Friburgut, do të mbahet lutja mbrëmësore
e Papës me të rinjtë. Në ditën e fundit të vizitës apostolike në Gjermani, Benedikti
XVI, pas kremtimit të Meshës së Shenjtë, do takojë ipeshkvijtë e vendit gjatë drekës,
më vonë do të takohet me gjykatësit e Gjyqit kushtetues federal të Gjermanisë dhe
me katolikët e angazhuar në Kishë e në shoqëri. Kthimi i Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger
në Vatikan është paraparë rreth orës 21 të 25 shtatorit.