Më 1 shtator kalendari përkujton festën e Shën Egjidit, Abat
Epoka në të cilën jetoi Egjidi abat (në frëngjsht Zhil), nuk njihet me saktësi. Disa
mendojnë se është fjala për Egjidin që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në
fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë se jetoi një shekull e gjysmë më vonë dhe
e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720 e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe
ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së tij. E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të
ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy
vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë. Në vetratat, Shën
Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes së një
mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë
meshtari tjetër. Por duhet të kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814. Varri
i Shenjtit, që nderohet në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi të jetë i
epokës merovingike, ndonëse shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty nga shekulli
X, kur u shkrua edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është një përmbledhje
gojëdhënash, që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i përforcuar besimtarët
në fe të krishterë. Të shumta - dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë, Belgjikë
e Holandë. Është pajtor i vetmitarëve, nënave e kuajve. Emri i tij vjen nga greqishtja
e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor e të drenushës.
E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit një drenushë për
ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vetmuar, larg çdo fytyre njerëzore, në
mes të një pylli të dendur. Në familjen françeskane emri Egjid është shumë i dashur,
sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri, është shoku i tretë
i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend e verë’, që kremtohet
më 23 prill.