2011-08-31 15:07:56

Kosovari Arid Uka i pranon vrasjet, ndikuar nga propaganda islamike, dhe kërkon falje


21 vjeçari Arid Uka, me origjinë nga Kosova, sot në gjykatë ka kërkuar falje për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në aeroportin e Frankfurtit të Gjermanisë, duke thënë se ishte i ndikuar nga propaganda islamike. "Dëshiroj të kërkoj falje te çdokush", tha Arid Uka, në një gjykatë në Frankfurt të Gjermanisë, në ditën e parë të procesit kundër tij. "Më 2 mars, unë i vrava dy njerëz dhe kam hapur zjarr kundër tre të tjerëve. Sot unë nuk mund ta kuptoj vetveten se si kam mundur të veproj në këtë mënyrë", tha Arid Uka. Prokurori Herbert Dajmer tha në gjykatë se Arid Uka, kishte shkuar në aeroport më 2 mars, me qëllim që t'i vrasë pjesëtarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të intervenimit të tyre në Afganistan. Sipas prokurorëve federalë, "hetimet kanë treguar se i akuzuari kishte dëshiruar t'i vrajë ushtarët që u përkisnin forcave të Shteteve të Bashkuara nën mandatin e Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse në Afganistan". Prokurorët besojnë se Arid Uka, që ka lindur në Mitrovicë të Kosovës, por është rritur në Frankfurt të Gjermanisë, ka vepruar vetëm dhe nuk i përket ndonjë rrjeti terrorist. Ai është i akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në Frankfurt, në muajin mars, e për tentim për vrasje të tre ushtarëve të tjerë. Pritet që procesi të zgjasë 10 ditë, ndërsa vendimi do të shpallet vitin e ardhshëm. Nëse shpallet fajtor Arid Uka mund të dënohet me burgim të përjetshëm.. (nga Kosovacom)







All the contents on this site are copyrighted ©.