Sonte, në orën 18.00, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos, kardinali Domeniko
Bertoluçi dha një koncert për nder të Papës. Drejtuar nga shkopi i dirigjentit Simone
Baioki, mjeshtër kori e drejtor orkestre, kënduan Enrika Fabri, soprano; Lykke Anholm,
soprano e Mikele Govi, bariton, shoqëruar nga Kori Rosini i Pezaros dhe nga Orkestra
Filarmonike Markigjane. I drejtuam mjeshtrit Baioki pyetjen: E dimë se
ju prej vitesh bashkëpunoni me Domeniko Bartoluçin, meshtar e kompozitor, e edhe ai
vetë, drejtor kori e orkestre, i njohur si një nga muzikantët më të shquar italianë
bashkëkohorë. Bëtë zgjedhje jo të zakonshme për këtë koncert, aq më tepër që iu ofrua
nga dy muzikantë të shquar – një Pape muzikant...
Përgjigje: -
Është fjala për një program të zgjedhur personalisht nga mjeshtri Domeniko Bartoluçi.
Prej kohe ai dëshironte të ekzekutonte para Papës Poemthin “Baptisma”, mbi liturgjinë
e lashtë të Pagëzimit, të muzikuar. Punë, që ka shumë rëndësi për Bartoluçin, sepse
u krye sipas kërkesës së Institutit Papnor të Muzikës Kishtare e u luajt për herë
të parë më 2 maj 1947, në sallën Akademike të Shkollës Papnore. Me këtë koncert, Bartoluçi
nisi të bëhet i njohur si talent në botën muzikore romake. Në dhjetor të të njëjtit
vit, Bartoluçi u emërua mjeshtër kapele në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe.
Një vit më vonë, nisi punën si mësues kori e kompozicioni, në Shkollën Papnore e,
pas pak kohe, ishte zëvendës-mjeshtër i Kapelës Sikstine, së bashku me Perozin, për
t’u bërë, pastaj, drejtor i saj, më 1956.
Pyetje: - Dëgjuam edhe
tre kompozime të tjera në këtë koncert...
Përgjigje:- Po,
ishin tre motete për soprano, kor e zëra femërore. I pari ishte ‘Benedictus”, që mjeshtri
e përgatiti si shenjë nderimi të thellë për Papën, duke pasur parasysh pikërisht emrin
Benedikt, zgjedhur nga Jozef Racinger. “Benedictus qui venit in nomine Domini” – “Bekuar
qoftë ai, që vjen në emër të Zotit”. Ishte një lutje muzikore, një falënderim, një
shprehje e mirënjohjes ndaj Zotit, i cili i dhuroi Kishës Papën Benedikti XVI.