2011-08-31 13:25:58

Benedikti XVI: veprat e artit janë portë e hapur drejt pafundësisë e drejt Zotit


Arti “është si një portë e hapur drejt pafundësisë, drejt bukurisë dhe së vërtetës që shkojnë përtej realitetit të përditshëm. E kështu një vepër arti mund të na i hap sytë e mendjes dhe të zemrës, duke na shty drejt lartësisë”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI, i cili në audiencën e sotme të përgjithshme mbajtur në sheshin e Kastelgandolfit, u kthye sërish mbi temën e “via pulchritudinis” “udhës së bukurisë”, për të cilën ka folur disa herë, e të “cilën njeriu i sotëm duhet ta rizbulojë e ta rivlerësojë në domethënien e saj më të thellë e të mirëfilltë”, në mënyrë që të plotësohet “nevoja që ka çdo i krishterë për të gjetur kohë për Zotin, për lutjen, në mesin e aq shumë punëve dhe të shqetësimeve të përditshme”.
“Një vepër arti – shpjegoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger – është fryt i aftësisë krijuese të qenies njerëzore, që pyet e hulumton para realitetit të dukshëm, që orvatet të zbulojë kuptimin e thellë e ta transmetojë përmes gjuhës së formave, të ngjyrave, të tingujve”.
Papa iu referua edhe përvojës së tij konkrete estetike: “Ndoshta – tha duke kujtuar eksperiencën personale – u ka ndodhë edhe ju ndonjë herë kur jeni gjendur para një skulpture, një pikture, disa vargjeve të një poezie, apo të pjese muzikore, të provoni në thellësi të brendësisë një emocion të fortë e të thellë, një lloj gëzimi të perceptimit, do të thotë, të ndjesh qartë se para jush nuk ishte vetëm lënda, por diçka shumë më e madhe, diçka që ‘flet’, që është e aftë të prek thellësinë e zemrës, të komunikon një porosi, ta larton shpirtin”.
“Ekzistojnë shprehje artistike që janë më të vërtet udhë që çojnë drejt Zotit, bukurisë supreme, madje janë vegla që ndihmojnë ta përforcojmë e rrisim marrëdhënien me Të, në lutje, vijoi Benedikti XVI duke u ndalur tek “veprat që lindin nga feja e që shprehin fenë”. Ndër shembujt, Papa përmendi katedralet gotike e kishat romanike, “ndërtesa të mrekullueshme” në të cilat kur të hysh “percepton se je i zhytur në fenë e breznive”. Sipas Papës, edhe “kur dëgjojmë pjesë të muzikës së shenjtë, që të prek zemrën, shpirti jonë shkon duke u zgjeruar dhe ndihmohet për t’u drejtuar kah Hyji”. Kështu Papa Ratcinger përmendi kujtimet personale që pat përjetuar në Munih duke dëgjuar muzikën e Johan Sebastian Bachut nën udhëheqjen e Leonard Bernsteinit.







All the contents on this site are copyrighted ©.