2011-08-30 13:08:49

Papa kërkon të lutemi që edukatorët t’u mësojnë nxënësve dashurinë për të vërtetën.


“Të lutemi, për të gjithë mësimdhënësit, që të dinë të transmetojnë dashurinë për të vërtetën e t’i edukojnë nxënësit me vlera të vërteta morale e shpirtërore”- ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Papës, për muajin shtator. E pikërisht tek ky ndjet ndalohet kardinali Zenon Groholevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Këto dy elemente të ndjetit të lutjes për muajin shtator, shprehin pikërisht atë, që është bërthama e emergjencës së sotme edukative. Përballë qëndrimit relativist ndaj vlerave e të vërtetave themelore të jetës, kërkohet me ngulm transmetimi i dashurisë për të vërtetën: në se nuk merret vesh ç’është e mira e ç’është e keqja e në se gjithçka është realative, atëherë lind natyrshëm pyetja: “për ç’edukim bëhet fjalë?”. Ka shumë rëndësi edhe pjesa e dytë e ndjetit të Papës: njeriu të edukohet me vlera të vërteta shpirtërore. Edukimi nuk mund të kufizohet vetëm në transmetimin e njohurive e në krijimin e aftësive, të cilat, pastaj, mund të përdoren si për të mirë, ashtu edhe për të keq. Njeriu duhet edukuar në mënyrë të tillë, që të dijë t’i shfrytëzojë dijet e aftësitë për të mirë.

Pyetje: - Emergjenca edukative është njëra nga temat e mëdha të papnisë së Benediktit XVI: si po i përgjigjet Kongregata e kryesuar nga ju, kësaj sfide të kohëve tona?

Përgjigje: - Ne po përpiqemi të hartojmë një projekt edukativ – e kjo është shumë e rëndësishme - të bazuar mbi qendërsinë e njeriut, mbi edukimin e tij të gjithanshëm. Edhe kur bëhet fjalë për formimin intelektual, ne nuk e shikojmë këtë thjesht si përgatitje për profesion: formimi intelektual, në radhë të parë, duhet të jetë formim i njeriut, duhet ta bëjë nxënësin të aftë për të mbajtur qëndrim kritik, ta bëjë të aftë për të gjykuar e për të vlerësuar në mënyrë të pavaruar, të mos jetë skllav i ca propagandave e idelogjive. Për ne ka rëndësi të madhe edhe formimi i atyre, që do të formojnë, i mësuesve. Mësuesit nuk duhet të kenë vetëm formimin e domosdoshëm intelektual, e edhe atë të lëndës, që japin, por duhet të kenë edhe një farë formimi shpirtëror, që i bën njerëz të besueshëm, u siguron një farë autoriteti para studentëve. Mendoj se për të gjitha këto, mësimdhënia jonë do të vlerësohet lart. Kur këtu, në Kongregatë, vijnë disa ambasadorë pranë Selisë së Shenjtë, jo të krishterë, shpesh krenohen se kanë ndjekur shkolla katolike, universitete katolike. Pyes gjithnjë veten: si është e mundur që, duke mos qenë të krishterë, kanë frekuentuar shkollat katolike? Më vijnë gjithnjë në mendje dy përgjigje: e para, sepse janë më të mira; e dyta - për mua shumë e rëndësishme – sepse shkolla katolike nuk jep vetëm njohuri, dije, por kryekreje, formon njerëz të vërtetë.

Pyetje: - Duke folur me pedagogët e rinj universitarë, në Eskorial, me rastin e DBR-së, Papa theksoi se në një shoqëri të çrregullt e të paqëndrueshme, si e sotmja, të rinjtë kanë më shumë nevojë se kurrë për mësues, që bëhen mjeshtra të jetës, që u kujtojnë se rruga drejt së vërtetës është rrugë e mendjes dhe e zemrës, e inteligjencës dhe e dashurisë, por pa harruar edhe përvujtërinë, pa harruar se e vërteta nuk mund të pushtohet kurrë plotësisht....

Përgjigje: - Kjo na kujton edhe një herë kërkesën mbi të cilën Papa ngul këmbë vazhdimisht: zgjërimin e horizonteve të arsyes, përpjekjen për të mos e kufizuar intelektin njerëzor vetëm në kërkimin e asaj, që është e eksperimentueshme; konkretisht, ekonomikisht e dobishme, por për t’ia hapur horizontet e pafundme të së vërtetës, edhe e sidomos, për çështjet themelore të jetës njerëzore, për kuptimin e jetës, për fatin e fundmë të njeriut... Mendoj se është shumë e rëndësishme të integrohen në këtë drejtim arsyeja e feja: arsyeja e sinqertë nuk mund t’ua mbyllë portën problemeve, që ngrejnë fetë. Nuk mund t’ua mbyllë, sepse janë problemet themelore të jetës, që trokasin në të.


Pyetje: - Në Itali e në shumë vende të tjera, në shtator hapen shkollat: urimi juaj për nxënësit e studentët?

Përgjigje: - Dëshiroj t’u uroj që me ndihmën e shkollës, të rinjtë të formohen si njerëz të vërtetë, të cilët - nga njëra anë - i njohin përgjegjësitë e veta e dinë t’i japin kuptim jetës së tyre – e, nga ana tjetër - ia dalin mbanë të bashkëpunojnë me të tjerët për të mirën e mbarë njerëzimit. Mendoj se i gjithë kuptimi i edukimit, është që njeriu të realizojë vetveten, të gjejë kuptimin e jetës e të bashkëpunojë për të mirën e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.