2011-08-29 17:22:00

Në Siri, opozita formon Këshillin Kombëtar të Tranzicionit


Opozita siriane lajmëroi sot në Ankara të Turqisë, permes televizionit arab “Al Zhazira”, krijimin e një Këshilli Kombëtar të Tranzicionit prej 94 anëtarësh. Në krye të tij, një intelektual disident e pedagog i sociologjisë politike në Universitetin e Sorbonës, në Francë. Quhet Burhan Galioun. Ndërkaq, në terren vazhdon dhuna e regjimit: tanket e presidentit Asad kanë rrethuar qytetin e Rastanit dhe kanë hyrë në Hit, në kufi me Libanin. Në Diar al Azor, 8 viktima civile.
Por të kthehemi tek Këshilli i Tranzicionit, i cili duket shumë i ngjashëm me atë të Libisë. Ç’vlerë mund të marrë ky organizëm? Të dëgjojmë ekspertin e Lindjes së Mesme në gazetën italiane “Il Messaggero”, Erik Salerno:
Mund të jetë një organizëm me ndikim në ngjarjet e Sirisë, edhe në nivelin diplomatik. Është e qartë se ngjarjet e Libisë u japin shpresë edhe sirianëve për një ndërhyrje të mundshme të bashkësisë ndërkombëtare. Me sa kam dëgjuar deri tani nga anëtarët e opozitës e nga disa krerë të protestave, ata nuk duan e nuk do të kërkojnë ndërhyrjen e huaj ushtarake, por duan ndërhyrje në nivelin diplomatik, edhe më të fuqishme nga sa është bërë deri tani.
Turqia ka marrë krejtësisht anën e protestuesve, duke deklaruar se nuk i beson më presidentit Asad e duke kërkuar fundin e dhunës. Ky qëndrim i Ankarasë, a mund të krijojë marrëdhënie të reja në rajon?
Që prej dy vjetësh, Turqia është zhvendosur më tepër drejt vendeve islamike, edhe për faj të refuzimit të integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ajo po bën një lojë “rivaliteti” me Iranin. Aleatët perëndimorë të Turqisë – Amerika, në radhë të parë – dëshirojnë një Turqi më të fortë, që t’i zerë vendin madje, edhe Egjiptit.








All the contents on this site are copyrighted ©.