2011-08-29 16:20:36

Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit. Papa: të krishterët ta shpallin të vërtetën pa asnjë kompromis!


Kisha përkujton sot martirizimin e Shën Gjon Pagëzusit: “Më të madhit ndër profetët e Krishtit – pohon Papa në magjisterin e tij – që diti ta mohojë vetveten, për t’i përgatitur rrugën Shëlbuesit, njeriut, që vuajti shumë, sepse tha gjithnjë vetëm të vërtetën. E për të vërtetën edhe vdiq!”.
Papa e paraqet figurën e dëshmitarit të parë të Jezusit si shembull, që meriton të ndiqet nga gjithë të krishterët, sepse feja kërkon nga ne ta kumtojmë qartë të vërtetën e dashurisë ungjillore, pa frikë e pa ngurrime, pa iu nënshtruar asnjëherë kushtëzimeve të botës, si Shën Gjoni, jeta e të cilit, ashtu si ajo e Virgjërës Mari, iu kushtua krejtësisht Krishtit. Gjon Pagëzuesi qe pararendësi, ‘zëri’ i dërguar për të kumtuar Krishtin, Fjalën e mishëruar. Prandaj, ta kremtosh dy herë, në ditëlindjen e tij për tokë e në atë për qiell, do të thotë të kremtosh Krishtin, përmbushjen e premtimeve të të gjithë profetëve, nga të cilët Gjon Pagëzuesi qe më i madhi, sepse i thirrur të përgatisë udhën para Mesisë.
Benedikti XVI na kujton edhe se të gjithë ungjijtë e fillojnë rrëfimin mbi jetën publike të Jezusit, duke përshkruar sesi Gjoni e pagëzoi Zotin në lumin Jordan. E edhe libri “Jezusi i Nazaretit” nis me këtë ngjarje, që asokohe pati jehonë të jashtëzakonshme. Njerëzit rendnin nga Jeruzalemi e nga të katër anët e Judesë për të dëgjuar Shën Gjon Pagëzuesin e për t’u pagëzuar prej tij në lumë, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Gjoni është i famshëm, megjithëse nuk kumton vetveten, por “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”. Ai është dëshmitari i parë i Jezusit që, duke pasë marrë shenja nga qielli, e tregon atë si Birin e Hyjit e shpërblyesin e njeriut. Rrëfen, kështu, të vërtetën, pa kurrfarë frike:
Si profet i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhërave të Hyjit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 24 qershor 2007).
Të krishterët nuk e kërkojnë martirizmin – shpjegon Papa – por janë gati të japin edhe jetën, për t’i qëndruar gjithnjë besnikë Ungjillit. Cila është, atëherë, karakteristika dalluese e martirit të krishterë?
“Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë: është gjithnjë vetëm akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj ne...i lutemi Zotit të na mësojë t’i duam edhe armiqtë tanë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 26 dhjetor 2007).
Martiri ecën deri në fund të fundit në gjurmët e Zotit, duke pranuar vullnetarisht të vdesë për shëlbimin e botës e duke dhënë, kështu provën më të lartë të dashurisë. Prej nga, atëherë, buron forca për të përballuar martirizimin?
Nga shkrirja e thellë dhe e plotë me Krishtin, sepse martirizimi e thirrja për t’u martirizuar, nuk janë rezultat i përpjekjeve njerëzore, por përgjigje që i jepet nismës dhe thirrjes së Zotit; janë, prandaj, dhuratë e hirit të Tij, që e bëjnë njeriun të aftë të japë jetën e vet nga dashuria për Krishtin, për Kishën e tij e për botën”( Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010).
Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh – vijon të kujtojë Papa – e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jeruzalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona:
“Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 26 dhjetor 2007).
T’i falësh salvuesit, t’i duash armiqtë, ky është revolucioni i vërtetë i krishterë: “Martiri i krishterë aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Të lutemi për ata që vuajnë nga shkaku i besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Zoja e Bekuar, Mbretëreshë e Martirëve, na ndihmoftë të jemi dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatosëse të së vërtetës e të dashurisë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 26 dhjetor 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.