2011-08-28 08:44:10

101 vjetori i lindjes së Lumes Nënë Terezë


Si sot me 26 gusht 2010, pra 101 vjet më parë lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Terezë e cila me 19 tetor të vitit 2003 lartohet në nderime të elterit. Figura më karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht dhe u pagëzua më 27 gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen e Papëve.

Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt, po ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit Ynë të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfrit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe.

Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar.

Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve.

Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore. Mbi vete mori barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet.

Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfrit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.