2011-08-27 12:09:59

Të rinjtë shqiptarë e thesari i Ditës Botërore të Rinisë në Madrid


Ka kaluar vetëm një javë nga përfundimi i Ditës Botërore të Rinisë në Madrid të Spanjës, por jehona e saj ndihet akoma. Të rinjtë nga e gjithë bota u mblodhën në kryeqytetin spanjoll nga 16 deri më 21 gusht. Nga data 18, me ta u bashkua edhe Papa Benedikti XVI, i cili gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, e kujtoi festën rinore me këto fjalë:
“Takimi i Madridit ishte një manifestim mahnitës feje, për Spanjën e për mbarë botën. Për shumicën e të rinjve, ardhur nga të katër anët e tokës, ishte rast i posaçëm reflektimi, dialogimi, shkëmbimi të përvojës pozitive e, sidomos, lutjeje të përbashkët, për të përsëritur zotimin se do ta rrënjosin gjithë jetën në Krishtin, që është Miku më besnik i të rinjve”.
Po Ati i Shenjtë njoftoi edhe se ku do të bëhet Dita e ardhshme Botërore e Rinisë dhe cila do të jetë tema e saj. Vitin që vjen, sqaroi Benedikti XVI, kjo Ditë do të kremtohet në nivel dioqezan dhe do të ketë moton “Gëzohuni përherë në Zotin”, marrë nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Filipianëve. Ndërsa, Dita Botërore e Rinisë e vitit 2013, ku do të marrë pjesë edhe Papa, do të kremtohet në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, me temë: “Shkoni e bëjini dishepuj mbarë popujt!”, marrë nga Ungjilli i shën Mateut.
Në Madrid, në mesin e të rinjve, që sollën harenë e fenë në takimin e tyre ndërkombëtar, ishin edhe 400 të rinj nga Shqipëria, së bashku me tre ipeshkvij. Një përmbledhje të përvojës së tyre, na e përshkruan bashkëpunëtorja jonë, Violeta Marashi, në informacionin e saj për Radio Vatikanin.............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.