2011-08-27 12:08:33

Shenjtorët e Javës


Sot 28 gusht, Kisha kremton të dielën e 22-të gjatë vitit kishtar e po sot, sipas kalendarit bie festa e shën Agustinit, ipeshkëv e doktor i Kishës. Kthehu nga unë o Zot, me vështrim dashurie. “Vonë të kam dashur, bukuri kaq e lashtë e kaq e re, vonë të kam dashur. E ja që ti ishe brenda meje e unë isha jashtë e aty të kërkoja… Më verbove me shkëlqimin tënd, e më në fund e shërove verbërinë time”. Janë këto veprat e mëdha të Zotit që shën Agustini sheh në jetën e vet.
Nesër e hënë 29 gusht, kalendari kremton martirizimin e shën Gjon Pagëzuesit. Je ti o Zot, mbrotja e të drejtit. Shën Gjoni është pararendësi i vendimit me vdekje dhe i vdekjes së Jezu Krishtit. Edhe ai nuk i nënshtrohet gjykimit të njerëzve, por ecën në rrugën që Zoti ia ka caktuar. Në të njëjtën ditë, kremtohet edhe shën Sabina.
Të martën, më 30 gusht: Shën Feliksi, shën Rebeka, shën Margarita Uard, I Lumi Idelfonso Shuster. Ndikoje mbi ne o Zot, hirin tënd. “Të jemi gati” sa herë kaplohemi nga frika se nuk jemi gati! E nuk duhet të shqetësohemi nëse i kemi në rregull dokumentat, por nëse nuk e kemi jetuar jetën si dhuratë për vëllezërit, për çdo vëlla!

Të mërkurën më 31 gusht, dita e fundit e këtij muaji, bie festa e shën Paulinit, shën Rajmond Nonatos, shën Aristidhit. Shenjtëria e Zotit shkëlqen në zemrën e të drejtëve. Pesë virgjërat e pakujdesshme e gjetën derën të mbyllur, sepse nuk ishin përgatitur si duhet. Vaji që u mungonte simbolizon mungesën e shpirtit të dashurisë e bamirësisë. Rrini zgjuar pra, se nuk e dini ditën, as orën.

Të enjten e ardhshme, më 1 shtator kalendari kishtar përkujton shën Egjidin, abat, shën Vitorin, shën Sikstin. Shpëtoje veten me dashuri, të këndojmë një këngë të re, na fton liturgjia e ditës. Zoti, përmes shembëlltyrës së talentave na kërkon gatishmërinë tonë të plotë për ta ndjekur, duke e ditur se rruga e tij ka si përfundim Golgotën dhe Varrin bosh. Me këtë gatishmëri e ndoqën

Të premten që vjen më 2 shtator, kalendari përkujton Shën Zenonin, martir të Nikomedisë. Shenjti na kujton se nuk mund t’i shërbejmë edhe Zotit, edhe parasë.

Të shtunën më 3 shtator, kalendari përkujton shën Gregorin e Madh, papë e doktor i Kishës.
Nëse duam të jemi të bashkuar me Krishtin nuk duhet të duam vetëm që njerëzit të na binden, por duhet të punojmë në mënyrë që të gjithë njerëzit të njohin veprat e mëdha të Zotit e të duan. Ky reflektim buron nga liturgjia e ditës.

Të dielën e ardhshme më 4 shtator, Kisha do të kremtojë të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më datën 4 shtator kalendari përkujton edhe shenjtorët Bonifacin I papë, Marinin, eremit, Rozëm nga Viterbo dhe Moisiun, ligjëvënës e profet. Liturgjia na nxit të reflektojmë mbi faktin që Jezu Krishti ka vdekur mbi Kryq për shëlbimin tonë. E psalmisti na fton me këto fjalë inkurajimi: Shpreso në Zotin: sytë e tu do ta shohin fytyrën e Tij Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.