2011-08-27 12:10:49

Në Argjentinë, nisma “Mas por Menos” në ndihmë të të varfërve


Të dielën, më 11 shtator, në të gjitha kishat e Argjentinës do të zhvillohet edicioni i 42-të i nismës “Mas por Menos”, e cila ka për qëllim të mbledhë fonde për familjet e varfëra të vendit. Me këtë rast, Papa Benedikti XVI dërgon një mesazh, me të cilin e nxit popullin t’i përgjigjet me bujari kërkesës për fonde, duke kujtuar se “edhe dhurata më e vogël ka vlerë për Zotin”.
Shuma e grumbulluar në këtë mënyrë, përmes nismës, që këtë vit ka si temë “Me ndihmën tënde, zgjedhim jetën”, do t’u shpërndahet 25 dioqezave, ku njerëzit nuk kanë shtëpi, ushqim e ujë të pijshëm. Në këtë mbledhje fondesh – shkruan Papa në mesazhin, që mban firmën e kardinalit-sekretar të Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone – gjen vend ajo “bamirësi hyjnore, e aftë të shkëputet edhe nga gjërat më të nevojshme për të ndihmuar të afërmin, ajo bamirësi, që nuk tregohet vetëm në raste të izoluara, por që hyn thellë në jetën e të krishterit, duke e bërë të ngjashëm me Zotin e dashurisë, imazh e dëshmi e të cilit duhet të jemi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.