Kisha kujton Shën Agostinin.:jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti është përgjigjia
e vetme e shqetësimeve tona. Sot me 28 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin,
ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, Autor i shkrimeve të shumta, është ndër Etërit
e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet e dogmat e krishterimit. Jashtëzakonisht
të njohura janë Rrëfimet e tij, një autobiografi e veçant në të cilën shenjti afrikan
rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje drejt kthimit tek Zoti. Shën Agostini
lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri, më 13 nëntor të
vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë të krishterë,
por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më 387 shkoi në
Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi vendimtare për
kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit. U rikthye
në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes së nënës,
shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike, mistike,
filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive,
me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare. Këto
vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet” dhe ‘Qyteti i Zotit’, jo vetëm që i
dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale.
I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!. Për
këtë aktualitet foli sivjet Papa Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit katër
katekizma gjatë audiencave të përgjithme ne janar-shkurt 2008. Papa e quan Shën
Agostinin, model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se
kush nuk dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai kërkonte një fe,
që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende
të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht
e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia
shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep (dhuron) jetë.
Ky kërkim – shpjegon Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në
sintezën ndërmjet fesë e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen
nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë
krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën
‘Contra Academicos”, fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”.
“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin
pikëarritjen e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së
vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur
kështu Zotin e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa, duke
folur për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është
fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij: “Prania
e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet
vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por ktheju
tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote
është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes.
Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia
e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të
pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vevetja”.
Papa kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për jetën, duke nënvizuar posaçërisht
shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe,
është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta
shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është
kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu
arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. “Njeriu
është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e
Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot – na kujton Papa - duke
theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun,
Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa flet edhe për
konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e ne, gjymtyrë
të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E kujtojmë se
pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën e doktoratit
në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa
për ta gjetur të vërtetën ekziston.