Me 27 gusht Kisha përkujtoi Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit.
Monika lindi në Tagaste, qytet i lashtë i Numidisë, në vitin 332. Në rini studioi
e meditoi Shkrimin Shenjt. U martua me Patricin, pronar i vogël i Tagastes, anëtar
i këshillit bashkijak. I shoqi, që nuk qe bërë ende i krishterë, ishte njeri i mirë
e i përzemërt, por edhe zemrak e autoritar. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Agostini,
Navigo e një vajzë, që nuk i dihet emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të
kujdesej për të gjithë familjen. Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më
të bukur të jetës: e pa Agostinin, që ishte transferuar në Milano e ishte bërë i krishterë
i bindur, duke u pagëzuar, së bashku me të gjithë familjarët. Domethënë Zoti i kishte
pranuar lutjet e saj, i kishte parë lotët e saj. Më pas Agostini vendosi të rikthehej
në Afrikë e të ndiqte jetën murgare. Në veprën e tij të famshme ‘Rrëfime’, i kushton
vëmendje të posaçme bisedave shpirtërore me nënën e tij, në shtëpinë e qetë të Osties,
etapë e ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e përforconin në fe dhe e mbushnin
me ngushëllim: tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte për të birin burim i krishtërimit.
Monika vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta, ndoshta nga malaria. Ishte data
27 gusht e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56 vjet. Bijëve u la amanet ta varrosnin
trupin e saj ku të donin, pa u shqetësuar për këtë, por ta kujtonin kudo që ndodheshin,
para elterit të Zotit. Ashtu si Zoja e Bekuar, së cilës u përpoq me të gjitha forcat
t’i përngjante, Monika qe “seli e dijes e nënë e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte
në zemër të të bijve, duke i dhuruar botës një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e
Doktor i Kishës. Trupi i Shën Monikës mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias
me shekuj, deri më 9 prill të vitit 1430, kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën
në Romë, në Kishën e Shën Trifonit, sot e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag
të skalitur mjeshtrisht nga Izaia i Pizës, në shekullin XV. Shën Monika është model
e pajtore e nënave të krishtera. Emri i saj është shumë i përhapur e festa i kremtohet
më 27 gusht, një ditë para festës të të birit, që vdiq më 28 gusht të vitit 430.