Porosia shpirtërore e Nënë Terezës në 101 vjetorin e ditëlindjes
Sot e Lumja Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiu mbushi 101 vjet. Plot mirënjohje për Emrin
e saj të madh, që ua la trashëgim të gjithë besimtarëve katolikë e posaçërisht shqiptarëve,
zgjodhëm për ne sot këtë rrëfim bazuar tek libri ‘Jeta ime’, që tingëllon si testament: “Mundohem
ta dua Zotin me gjithë vetveten. Jam lëshuar plotësisht në duart e tij,
me gjithë të metat e mia e mungesat e mia. Ai më pranoi si nusen e vet,
me ngrohtësi e dashuri të pakufishme. Tashmë, për gjithë jetën, jam fati
i Krishtit të Kryqëzuar. Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës:
të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit,
të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë
ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun. Jam
thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja
e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd. Nga
ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë
me para. Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe
sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të
Zotit. Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e
Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët. Kush nuk i përfill të varfrit, vijon
të mos e përfillë Krishtin. Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u
shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje. Ushqimi shpirtëror që më mban
në këmbë, është Mesha Shenjte. Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që
zgjodha as një ditë, madje as një orë. Në Meshë Jezusi na paraqitet nën
trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar,
në fëmijët e braktisur. Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të
bëjmë, më pushton një trishtim i thellë. Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë
uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë
e vuajtjeve njerëzore. Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit,
atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!".