2011-08-26 17:36:16

Gedafi fshihet në Sirte: tornadot britanike bombardojnë bunkerin e tij.


Në Libi, pas marrjes së pjesës më të madhe të Tripolit, kryengritësit përgatiten për sulmin kundër Sirtes, vendlindje e Gedafit, ku, sipas burimeve të presidencës franceze, mendohet se fshihet koloneli, në këto orë dramatike për të e për vendin. Sirte, sipas ministrit të jashtëm të Italisë, bën pjesë në atë 5% të territorit, që vijon të jetë nën kontrollin e forcave të liderit libian.
Ndërkaq Këshilli Kombëtar i Tranzicionit merr miratimin e Kombeve të Bashkuara për zhbllokimin e pasurive libiane, me vlerë 1,5 miliardë dollarë.

Kështu, ndjekja e Gedafit zhvendoset në Sirte, qytet bregdetar, ku janë përqendruar trupat e fundme të kolonelit. Sot paradite tornadot britanike bombarduan bunkerin e madh të ish-raisit. Burime të Elizeut e lokalizuan liderin libian në fortesën e besnikëve të tij, që vijon të mbrohet nga 1. 500 milicë e disa tanke. Megjithë ndjekjen e ethshme, deri tani lideri libian nuk është kapur akoma nga kryengritësit, të cilët disa herë besuan se tashmë e kishin në dorë. Mbrëmë, për të disatën herë, Gedafi i bëri thirrje popullit “ta pastrojë Tripolin nga rebelët”. E sot, në kryeqytet, forcat e tij besnike, bombarduan aeroportin, ndërsa kryengritësit përgatiten të sulmojnë Abu Salim, lagjja e fundit e kontrolluar nga besnikët e regjimit.
Ndërkaq në oborrin e spitalit të Tripolit, i dërguari i Al Zhazirës, që hyri aty me telekamera, gjeti 19 kufoma, shtrirë përdhe. Ndërsa brenda, një dhomë plot me kufoma të rinjsh e pleqsh, të vdekur sepse bombardimet e izoluan spitalin e ata nuk mundën të marrin mjekimet e domosdoshme.
Kudo ndjehej duhmë kufomash në kalbëzim e sipër e shiheshin njolla gjaku, ende të pathara. Janë rreth 100, të vdekurit, ndërmjet fare pak të gjallëve, që mundën ta përballojnë këtë situatë mortore. Kamera e Al Zhazirës regjistroi gedafistë e kryengritës, pranë e pranë, me plagët që ia shkaktuan njëri-tjetrit, të shpëtuar falë pranisë së një stafi prej shtatë punonjësish të shëndetësisë, ndërmjet të cilëve, dy mjekë!
Në frontin politik, vijon procesi i akreditimit të qeverisë së re pranë institucioneve ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhbllokoi 1,5 miliardë dollarë të pasurisë libiane, për rindërtimin e vendit. Zhbllokohen edhe fondet në vendet e ndryshme perëndimore, që iu përgjigjen thirrjes së kryeministrit të ri, Xhibril. Posaçërisht thellohen marrëdhëniet me partenerët historikë evropianë. Dje, takimi i Xhibrilit me kryeministrin italian, Berluskoni. Ndërsa në Francë dëgjohen zëra, që flasin për një vizitë të afërme të presidentit Sarkozi e të kryeministrit britanik Kameron, në Libi.







All the contents on this site are copyrighted ©.