Dëshmia e atë Sebastian Vazhakalës, në shërbim të të afërmit, në gjurmët e Nënë Terezës.
Kaluan14 vjet nga vdekja e Nënës sonë Tereze që bie me 5 shtator, por kujtimi i së
Lumes Gonxhe Bojaxhiu mbetet i gjallë në zemrat e atyre, që e njohën, që e deshën.
Përmes shembullit dhe shërbimit të saj të përvujtur e të jashtëzakonshëm, ndaj të
afërmit, Nënë Tereza mishëroi e vijon të mishërojë “idealin misionar”, duke u bërë
vërtet, siç thoshte ajo vetë “një laps në dorë të Zotit”. Ne, që nuk e harrojmë kurrë
Nënë Terezën, sepse është krenaria jonë e e Kombit tonë, folëm në këtë përvjetor,
me atë Sebastian Vazhakalën, i cili, në bashkëpunim me Nënë Terezën, themeloi
degën mashkullore të Misionarëve Kundrues të Bamirësisë:......
Përgjigje:
- Çdo njeri ishte i rëndësishëm për Nënë Terezën, kishte dinjitetin e vet
të posaçëm njerëzor. I varfër a i pasur, me ngjyrë të bardhë a të zezë, me fe të krishterë
a tjetër, për të nuk kishte kurrfarë ndryshimi. Për bijën e trojeve shqiptare, secili
peshonte 400 dërhem në kandar të vet, prandaj ajo nuk bënte kurrë dallime ndërmjet
njerëzve, duke u nisur nga feja, që praktikonin. Pyetja e parë, që u bënte njerëzve,
nuk ishte “Ç’ feje i përket’, por ‘Ç’mund të bëj për ty?’; ‘Si mund të të ndihmoj?.
Ajo dinte ta trajtonte njeriun si njeri, kushdo që të ishte, e kjo më prekte shumë,
sepse nuk shikonte ngjyrën e lëkurës, fenë as kombësinë. Shikonte vetëm njeriun; dhe
e shikonte gjithnjë si shembëlltyrë të Zotit, si krijesë të Hyjit. Shikonte Zotin
në fytyrën e çdo njeriu. Shikonte Krishtin, që kërkonte ndihmë nga duart e saj të
brishta. Ajo nuk merrej me punët e botës, nuk shikonte ç’bëjnë a ç’nuk bëjnë të tjerët.
Pyetja e parë që i bënte vetes, ishte: “Unë ç’mund e ç’duhet të bëj?”. E edhe “Ç’nuk
duhet të bëj?”. Ndërmjet gjërave, që nuk duheshin bërë, ishte të mos e lije punën
e sotme për nesër. Thoshte: “Të duam e të shërbejmë sot, sepse kemi kohë për t’i bërë
këto punë kaq të rëndësishme. Të mos i lëmë, prandaj, për nesër”. Ndërsa punët, që
duheshin bërë, punë të thjeshta, të zakonshme, ajo dinte t’i bënte me dashuri të jashtëzakonshme.
Thoshte gjithnjë: “Nuk jemi thirrur të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Jemi thirrur
të bëjmë gjëra të zakonshme, me dashuri të jashtëzakonshme”. Në fytyrën e çdo njeriu,
ajo shikonte Jezusin. Kujtonte vazhdimisht fjalët e Shën Mateut: “Çdo gjë që bëni
për njërin ndër këta vllezër të mi më të vegjël, e bëni për mua. Isha i uritur, e
më dhatë të ha. Isha shtegtar, e më përbujtët. Isha i zhveshur, e më veshët. Isha
etshëm, e më dhatë të pi. Isha i sëmurë, e më mjekuat. E kur isha i mbyllur në burg,
erdhët e më vizituat”. Këtë mësim të Krishtit Nënë Tereza e vuri në jetë: pati mëshirë
për shpirtin, por edhe për korpin e njeriut, që vuan.
Pyetje: -
Nënë Tereza ka thënë edhe se shërbimi që i bën tjetrit, është fryt dashurie...
Përgjigje:
- Duaj e shërbe! Është si monedha, që ka dy faqe të pandarshme; si zogu,
që s’mund të fluturojë, por s’i pati të dy krahët. Ta duash Zotin me gjithë mend,
me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me tërë forcën; ta duash Jezusin e t’i shërbesh.
Këtu, në Romë, kemi, për shembull, “Shtëpinë e qetë”, që u krijon mundësinë të flejnë
rehat 76 njerëzve pa strehë, të flakur në rrugë të madhe. Mund të flejnë e të hanë
tek ne. Kemi, sidomos, Adhurimin e përhershëm, ditë-natë, 24 orë mbi 24 orë. Jezusi
është përherë realisht mes nesh: edhe ky, një nga mësimet e Nënë Terezës, mësim që
ajo e mori nga vetë Jezusi e na e dha edhe ne. Na e bëri krejt të qartë e të frytshëm.
Pyetje:
- Nënë Tereza ishte imcake; fizikisht nuk ta mbushte fort syrin, por kishte një
forcë tejet të madhe shpirtërore....
Përgjigje: - Po. Na thoshte
gjithnjë se forcën ia jepte Jezusi në të Shenjtnueshmin Sakrament. Vetë Krishti, në
një vegim, i tha: “Unë nuk mund të shkoj mes tyre, duhet të më çosh ti në gjirin e
popullit, në mes të të varfërve, të të burgosurve, të të sëmurëve”.
Pyetje:
- Nënë Tereza thoshte se gërbula më e keqe, në Romë e në Nju Jork, për të mos
kujtuar skutat e botës, është vetmia...
Përgjigje: - Vetmia
e indiferenca. Unë kam punuar në Los Anxhelos, në Nju Jork e, së fundi, në Romë. I
kam parë të gjitha këto vende. Kam parë varfërinë më të thellë shpirtërore, që fshihej
në to. Në këtë shoqëri ka një hendek të thellë ndërmjet të pasurve e të varfërve.
Bota perëndimore vijon rendjen të përditshme, të ethshme. As ajo vetë s’e ka të qartë
cakun. E caku gjithnjë më shpesh, është vetmia! Herën e parë kur shkova nga Kalkuta,
në Los Anxhelos, për një muaj me radhë nuk munda të gjej asnjë të varfër. Por, sapo
kaloi muaji i parë, zbulova se atje kishte një varfëri të frikshme, shumë-shumë të
madhe. Gjatë dy vjetëve, që kalova atje, pashë gjëra, që nuk mendoja se ekzistojnë.
Preka me dorë indiferencën, ftohtësinë, vetminë, që është e gjithëpranishme në botën
e sotme. E këtë oqean mjerimi nuk mund ta zhdukim, nuk kemi forcë t’i kundërvihemi
ndryshe, veçse me lutje, me vetëflijim, me vepra mëshire.