2011-08-25 15:09:51

Në Libi vazhdojnë luftimet, por lirohen katër gazetarët italianë, të kapur dje


I vetmi lajm i mirë nga Libia, ku vazhdojnë luftimet, është lirimi i katër gazetarëve italianë, që u vodhën dhe u mbajtën peng dje pranë Tripolit. Ndër ta edhe një gazetar i së përditshmes kishtare “Avvenire”, Klaudio Moniçi, i cili u rrëmbye dje e u mbajt për 24 orë në një apartament në kryeqytetin libian, së bashku me dy korrespondentët e gazetës “Corriere della Sera” dhe me një të gazetës “La Stampa”. Për lirimin e tyre, sipas lajmeve të deritanishme, nuk është paguar asgjë.
Ndërkaq, ndërsa kryengritësit kërkojnë pa pushim Gedafin dhe bijtë e tij, Tripoli digjet. Pas tri ditë luftimesh numërohen 400 të vdekur e 200 të plagosur. Ndeshjet me armë janë përqendruar përreth bunkerit Bab al-Azizija, në afërsi të Sirtes e në Zuara. Për Gedafin është caktuar një shpërblim prej 1 milion e gjysëm euro e madje, Këshilli i Tranzicionit i ka premtuar faljen atij që e dorëzon, gjallë a vdekur. Dikush thotë se fshihet pranë aeroportit, të tjerë se është larguar nga Libia për t’u strehuar pranë miqve të tij të mundshëm, nga Angola në Algjeri, në Zimbabve, në Venezuelë ose në Burkina Faso.








All the contents on this site are copyrighted ©.