2011-08-25 14:37:30

Benedikti XVI dhe sinteza e re e mendimit: reflektim i rektorit të Universitetit Lateranens, imzot Dal Kovolo.


“Në një shoqëri të çrregullt e të paqëndrueshme, si e sotmja, të rinjtë kanë më shumë nevojë se kurrë për mësues, që bëhen mjeshtra të jetës, që u kujtojnë nxënësve se rruga drejt së vërtetës është rrugë e mendjes dhe e zemrës, e inteligjencës dhe e dashurisë, por pa harruar edhe përvujtërinë, pa harruar se e vërteta nuk mund të pushtohet kurrë plotësisht”. Ky është një nga fragmentet themelore të fjalimit të Papës, drejtuar pedagogëve universitarë spanjollë, në takimin e mbajtur në Eskorial, gjatë DBR-së së Madridit. Të kujton një nga temat themelore të papnisë së Benediktit XVI, atë të dialogut ndërmjet fesë e arsyes, që përshkon tejendanë dhe kërkimet shkencore teologjike të Papës, që kur ishte ende kardinal. Lidhur me përpjekjen për realizimin e një sinteze të re të mendimit, nënvizuar shumë herë nga Papa, intervistuam imzot Enriko Dal Kovolo, rektor i Universitetit Papnor Lateranens:

Përgjigje: - Në Eskorial, duke u folur pedagogëve të rinj universitarë, Papa solli një element të ri, që mendoj se duhet nënvizuar me forcë. Aty nga fundi i fjalimit, thotë: në se e vërteta dhe e mira janë të bashkuara, do të jenë të bashkuara edhe dija e dashuria. Nga ky unitet rrjedh ndërlidhja e jetës dhe e mendimit, shembull, që kërkohet nga çdo edukator i mirë. Sipas meje, ky fragment është absolutisht më kryesori.

Pyetje: - Ati i Shenjtë po kërkon me forcë një përmbledhje të re të mendimit, kërkesë që ndjehet gjithnjë më shumë, në një kohë si kjo, përshkuar nga copëzimet e nga relativizmi, siç na e kujtonte më parë kardinali Racinger, sot Papa Benedikti XVI.

Përgjigje: - Sigurisht. Unë jam përpjekur kohët e fundit ta zhvilloj më tej mendimin e Papës, lidhur me rolin themelor që ka teologjia në këtë sintezë, e cila nuk duhet vonuar. Është fjala për një sintezë të bazuar filozofikisht e teologjikisht, që duhet t’i orientojë dijet. Përndryshe, në se do të mungojë një sintezë e tillë, në se nuk e kemi një sintezë të tillë, të bazuar filozofikisht e teologjikisht – çdo degë e dijes mbyllet në vetvete, duke kërkuar të vërtetën e vet, të pavarur. Devijimet e relativizmit, që burojnë pikërisht nga kjo vetëmbyllje, duken sheshit.

Pyetje: - Në fjalimet e mëdha, posaçërisht gjatë shtegtimeve apostolike, nga Regensburgu në Collège des Bernardins të Parisit, por edhe në Westminster Hall të Londrës, Benedikti XVI vuri theksin mbi fenë e arsyen. Sipas jush, a përshkohet nëpër këtë binom, edhe ungjillëzimi i ri?

Përgjigje: - Pa asnjë dyshim, sepse Papa, i cili kur ishte kardinal pati bashkëpunuar ngushtësisht me Gjon Palin II për hartimin e enciklikës “Fides et Ratio”, arriti me të drejtë në përfundimin se arsyeja, e cila mbyllet në vetvete, është arsye, që kthehet kundër vetes, prej këndej, kundër humanizimit të vërtetë të njeriut. Ndërsa arsyeja duhet të vihet pikërisht në shërbim të njeriut, e jo t’i kundërvihet. E këtë mund ta bëjnë horizontet që hapin feja e dashuria.

Pyetje: - Kjo thirrje e Benediktit XVI për unitetin e njeriut, për dialogun ndërmjet fesë e arsyes, është temë, që u takon teologëve, apo edhe besimtarëve?
Përgjigje: - Nuk është, kjo, fjalë që u drejtohet vetëm teologëve; kjo ka të bëjë me vetë jetën! Problemi është ai i ndërlidhjes ndërmjet jetës e mendimit, me sintezën ndërmjet dijes e dashurisë, e prej këndej niset edhe dëshmia e edukatorit. Edukatori i mirë di ta dëshmojë këtë sintezë, të cilën e ka bërë të vetën. Kuptohet, atëhere se fjala e Papës u përket të gjithëve, u drejtohet të gjithëve: edukatorëve, mësuesve e të gjithë atyre, që merren me procesin mësimor dhe edukativ.







All the contents on this site are copyrighted ©.