2011-08-24 16:37:02

Papa në audiencën e përgjithshme flet për DBR-së të Madridit: ngjarje e paharrueshme!


“Një ngjarje e madhe kishtare, tepër emocionuese”. Me këto fjalë e hapi Benedikti XVI tregimin për Ditën Botërore të Rinisë të Madridit, në praninë e besimtarëve, që morën pjesë, sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Reflektimi i shkurtër i Papës u mbyll me njoftimin e temës së Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Rio-de-Zhanéjro.

Ishte një përvojë tepër emocionuese, që nuk mund të përshkruhet me pak fjalë. Këtë theksoi sot Papa, kur nisi katekizmin, kushtuar DBR-së së paharrueshme të Madridit. Gjithsesi Benedikti XVI nuk i kurseu epitetet, në përpjekjen për t’i përcjellë turmës së vogël të Kastel Gandolfos, gjurmët e thella, të jashtëzakonshme, të paharrueshme, që i lanë në shpirt, ditët e Madridit:
“Ishte, e ju e dini, një ngjarje kishtare emocionuese; rreth dy milion të rinj, nga të gjithë Kontinentet, jetuan, plot gëzim, përvojën e shkëlqyer të vëllazërisë, të takimit me Zotin, të emocioneve të përbashkëta e të rritjes në fe: një ujëvarë e vërtetë drite. E falënderoj Zotin për këtë dhuratë të çmuar, që të mbush me shpresë për ardhmërinë e Kishës; për këta të rinj, me dëshirë të fortë e të sinqertë që ta rrënjosin jetën e tyre në Krishtin, të mbeten të bazuar në fe, të ecin së bashku me Kishën”.
Më pas, Papa kaloi tek çastet e veçanta të tubimit të madh, të cilat i kujtoi një nga një, duke nisur nga entuziazmi i papërmbajtur i të rinjve, të etur për një të vërtetë më të thellë, mbledhur mbrëmjen e parë në Sheshin e Cibeles, për të kaluar tek takimi me rregulltaret e reja e me pedagogët e rinj universitarë, ndërmjet të cilëve kaloi disa çaste të paharrueshme në Manastirin e El Eskorial-it: të parat e prekën thellë Papën, me fenë e tyre plot guxim, drejtuar nga ardhmëria; të dytët, me gatishmërinë për të qenë mësues jo vetëm në auditore, por sidomos, në jetë. Benedikti XVI kujtoi edhe të rinjtë, të cilët në Madrid ndjenë si u rrihte fort zemra, duke dëgjuar thirrjen e re, të heshtur, por këmbëngulëse, që u drejtonte vetë Zoti:
Ndërmjet të pranishmëve kishte më se një të ri, që e pati ndjerë thirrjen e Zotit pikërisht në Ditët e mëparshme Botërore të Rinisë; jam i sigurt se edhe në Madrid Zoti u ka trokitur shumë të rinjve në portën e zemrës, duke i thirrur ta ndjekin pas me bujari në misionin meshtarak ose në jetën rregulltare”.
Ndërmjet kujtimeve, që Papa i tregoi shkurtimisht, nuk mungoi edhe ai çerek ore i mbrëmjes të së shtunës - që u përshkrua në mënyra nga më të ndryshmet në mjetet e komunikimit - por që Papa e shikon si shembull, i cili i tregoi qartë ç’rini kishte përballë:
“Në mbrëmje, një turmë të rinjsh në festë, pa u trembur fare nga rrebeshi e nga era, vijoi të adhuronte në heshtje Krishtin e pranishëm në Eukaristi, për ta lavdëruar, për ta falënderuar e për t’i kërkuar ndihmë e dritë”.
Në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos u valëvit mëse një flamur me stemën e DBR-së drejt ballkonit, prej nga Papa e përmblodhi kështu “këtë dhuratë të madhe”, që – siç theksoi - e solli me vete nga Spanja:
Takimi i Madridit ishte një manifestim mahnitës feje, për Spanjën e për mbarë botën. Për shumicën e të rinjve, ardhur nga të katër anët e tokës, ishte rast i posaçëm reflektimi, dialogimi, shkëmbimi të përvojës pozitive e, sidomos, lutjeje të përbashkët, për të përsëritur zotimin se do ta rrënjosin gjithë jetën në Krishtin, që është Miku më besnik i të rinjve”.
Papa nuk deshi ta përfundojë tregimin e tij, pa njoftuar edhe temat e DBR-së së ardhshme:
“Ajo e vitit të ardhshëm , që do të kremtohet në dioqezat e ndryshme, do të ketë moton: “Gëzohuni përherë në Zotin”, shkëputur nga Letra drejtuar Filipianëve; ndërsa në DBR-së të 2013-tës, në Rio-de Zhanéjro, motoja do të jetë mandati i Jezusit: “Shkoni e bëjini dishepuj mbarë popujt”! Që tani ia besoj lutjes të të gjithëve përgatitjen e këtyre takimeve tepër të rëndësishme. Faleminderit!”.
Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, në dhjetë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI kujtoi përsëri përvojën e madhe, që fitoi, në radhë të parë ai vetë, në takimin e paharrueshëm të Madridit – siç theksoi në gjuhën angleze. Një përshëndetje tjetër, posaçërisht e rëndësishme, ajo, që Ati i Shenjtë e shqiptoi në gjuhën ukrainase – për të kujtuar 20-vjetorin e pavarësisë, që e festoi pikërisht sot ky vend, historia dhe kultura e të cilit përshkohen në mënyrë të pashlyeshme, nga vlerat e krishtera.
Ky ishte edhe mendimi i fundit i kësaj audience. Në të u ndjenë fort gjurmët e paharrueshme, të jashtëzakonshme, të Ditës Botërore të Rinisë, që sapo përfundoi. Gjatë kremtimit të saj, mbarë rinia katolike botërore tregoi konkretisht se s’ka stuhi në botë, që e ndan nga kundrimi i Krishtit, në të cilin dëshiron të mbetet e rrënjosur, për t’i siguruar mbarë njerëzimit një ardhmëri vërtet të ndritur.







All the contents on this site are copyrighted ©.