2011-08-24 18:08:07

Ipeshkvi Kosovës imzot Gjergji: mësimi i fesë ta përforcojë bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë e jo ta minojë atë


Zyra e ipeshkvit të Kosovës, përmes një deklarate të këtyre ditëve për mediat, shprehet lidhur me çështjen e mësimit fetar në arsimin publik të Kosovës. Sipas ipeshkvit imzot Dodë Gjergjit, vlera që ka mësimi i fesë në shkollë është e padiskutueshme, por lypet një ndërgjegjësim e maturi më e madhe duke pasur parasysh realitetin e shoqërisë së re demokratike në Vend, që kërkon kohë e përforcim. Ipeshkvi i Kosovës pastaj bënë edhe një dallim mes mësimit të doktrinës së fenë dhe të historisë së feve në shkollë, duke mbështetur propozimin e dytë. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë së çmueshme të tolerancës ndërfetare mes qytetarëve dhe bashkësive të ndryshme fetare dhe etnike që bashkëjetojnë në një shoqëri të përbashkët. Në vijim propozojmë deklaratën e plotë të zyrës së ipeshkvit të Kosovës
DEKLARATË PËR MEDIA
Në bazë të informatave që kemi, mësojmë që Parlamenti i Kosovës, përgatitet për të diskutuar mbi mundësinë e amendamentit të ligjit për arsim parauniversitar, me të cilin synohet futja e mësimit fetar në arsimin publik.
Avancimi i shoqërisë tonë, që të ketë edhe këtë mundësi në ngjashmëri me vendet e Bashkimit Evropian dhe ushtrimi i kësaj të drejte që na mundëson liria dhe sistemi demokratik i Shtetit të Kosovës, është më se i mirëpritur.
Kisha Katolike me në krye ipeshkvin e Kosovës, vlerëson se ndryshimet e tilla në ligj, nuk duhen të kenë qëllim, ngopjen e ambicieve të disave, për përfitime politike, por realizimin e synimeve të përbashkëta, për edukimin e gjeneratave të reja në frymën e Rilindësve tanë.
Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar, duhet të zhvillohet nëpër Kisha dhe Xhamia, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik.
Megjithatë, para së bëhen ndryshimet në ligj, ne mendojmë se, duhet të bëhen hapat paraprakë:
· Lypet që Shtetësia e Kosovës të “piqet” dhe të njihet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare;
· Të arrihet, nëpërmjet arsimimit një qytetërim i mirëfilltë evropian dhe Kosova të jetë e aftë për të menaxhuar një çështje kaq madhore.
· Të krijohet Komisioni i përbashkët me përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe instancave relevante shkencore, akademike dhe politike, të cilat pas shqyrtimit serioz do të mund ta jepnin një propozim rreth përpilimit të teksteve dhe për përgatitjen e kuadrove;
· Zgjidhja e kësaj çështjeje, duhet të jetë vendim unik i Kombit, dhe mu për këtë Institucionet në fjalë, duhet ta ndjekin përvojën e Shtetit Shqiptar, i cili tashmë ka një traditë të konsoliduar shtetërore.
Duke u mbështetur në argumentet e sipërpërmendura, si dhe tjerat që nuk janë përmendur kësaj radhe, Ipeshkvia e Kosovës, konsideron se në këto rrethana duhet të hiqet nga rendi i ditës ky propozim, deri sa nuk krijohen rrethanat më të favorshme dhe të plotësohen kushtet në fjalë. Në të kundërtën, Kisha Katolike në Kosovë do ta konsiderojë këtë vendim të njëanshëm dhe nuk do të bartë përgjegjësinë mbi pasojat e mundshme për Kombin.
Zyra e Ipeshkvit të Kosovës
Prishtine 22 gusht 2011







All the contents on this site are copyrighted ©.