2011-08-23 12:09:12

Imzot Lambiazi: “Mitingu i Riminit përçon mesazhin e shpresës e të sigurisë” ndërmjet popujve.


Në Rimini të Italisë prej së dielës së kaluar ka filluar manifestimi i përvitshëm Mitingu i 32-të i miqësisë ndërmjet popujve mbi temën ““E jeta bëhet siguri pa fund”. Një thirrje për të shpresuar e ndërtuar perspektiva jetësore. Mitingu i organizuar nga lëvizja Kishtare “Comunione e Liberazione” tregon mundësinë e rrugëdaljes nga kriza e vlerave në njohjen e sigurt të vetvetes dhe të botës, përtej “sigurive” që duket se vetëm shkenca e teknologjia mund t’i ofrojnë njeriut, duke përshkuar udhën e eksperiencës shpirtërore, duke njohur personin e Krishtit, që “shpjegon e zgjidhë gjithçka në realitetin tonë” njerëzor.Pjesëmarrësve të këtij takimi ndërkombëtar të miqësisë ndërmjet popujve, Papa Benedikti XVI u dërgoi Mesazhin e tij që u lexua në fillim të Meshës Shenjte të dielën, kryesuar nga ipeshkvi i Riminit, imzot Francesco Lambiasi me rastin e hapjes së punimeve. Është mesazh sigurie e shprese ky, që përpiqet t’u përçojë popujve, Mitingu i Riminit, në një çast vështirësish, shqetësimesh e paqartësish në rritje. Këtë theksoi, në homelinë e Meshës, kremtuar në hapje të Takimit të madh të popujve, ipeshkvi i Riminit, Françesko Lambiazi, të cilin e intervistuam. Imzot Lambiazi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Siguria, që buron nga feja, nuk i zhduk menjëherë vështirësitë e çastit, por ndërmjetëson për t’i lehtësuar; përpiqet t’i kapërcejë pak a shumë ashtu, si e kapërcyen të Dymbëdhjetë Apostujt detin në mes të stuhisë, atë natë kur Jezusi iu afrua barkës së tyre, duke ecur mbi ujë. Barka e fesë na ndihmon ta kapërcejmë detin në stuhi. Nuk na siguron kohë të mirë, por na mëson t’i shpalosim mirë velat, na krijon kushtet të jetojmë me shpresë, edhe në një kohë paqartësish, siç është kjo e sotmja.

Pyetje: - Pikërisht duke përballuar këtë temë, Mitingu, në një farë mënyre, përcjell edhe mesazhin e DBR-së: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”; Papa nuk ua drejtoi vetëm të rinjve. U kujtoi të gjithëve se vetëm në Jezu Krishtin njeriu mund t’i zgjidhë edhe problemet e tjera jetike, që e shqetësojnë. Ju ishit në Madrid, jetuat me të rinjtë. Sipas jush, a e kuptuan thellësisht të rinjtë mesazhin e Papës?

Përgjigje: - Më duket se po, sepse unë i takova të rinjtë, që përballuan shumë vështirësi, pa u shqetësuar fare, madje me entuziazëm, gjë që më shtyn të mendoj se po kështu mund të kapërcejnë edhe vështirësi më të mëdha, vështirësitë e jetës, duke pasur parasysh se janë të rinj e se përgjegjësitë e mëdha na takojnë, në radhë të parë ne, të rriturve. Papa po e luan rolin e tij e na takon ne të gjithëve t’i shoqërojmë të rinjtë, ta mbajmë të gjallë këtë flakë, që u ndez.

Pyetje: - Një fjalë tjetër kyçe në këtë Miting, është “bashkim”, por edhe “lidhje”. Kreu i shtetit erdhi të përfaqësojë këtë bashkim rreth vlerave të përbashkëta e këtë lidhje, për të mirën e përbashkët. A mundet bota katolike - sipas jush – të japë kontributin e vet për këtë? E edhe, gjithnjë në këtë këtë kuptim, ç’dëshmi, ç’ kontribut mund të vijë nga Mitingu”?

Përgjigje: - Nuk mund të mos jemi katolikë të bashkuar rreth Krishtit e Mëkëmbësit të Tij, Papës, e kjo na krijon mundësi ta mbajmë të gjallë dialogun, edhe kur jemi, simbolikisht, në brigje të ndryshme. Mbi gjithçka duhet vënë dashuria e krishterë; në gjërat themelore, duhet të vëmë në plan të parë bashkimin; në çaste të paqarta, përpjekjet e ligjshme për t’i sqaruar; por, si mbi të parat, ashtu edhe mbi të dytat, duhet të jetë gjithnjë dashuria e krishterë!







All the contents on this site are copyrighted ©.