2011-08-22 14:50:29

Papa: Dita botërore e Rinisë Madrid 2011 një festë e madhe feje në Krishtin. Atë Lombardi: bilanci pozitiv, për pjesëmarrjen madhështore e për frymën dhe qartësinë e mesazhit.


“Dëshmoni botës mbarë Dashurinë e Krishtit”. “Jini apostuj të ungjillëzimit të ri në botë”. “Bota ka nevojë për Zotin, sepse vetëm dashuria e Tij i jep kuptim jetës. Dëshmojeni fenë e krishterë në çdo mjedis edhe aty ku kundërshtohet”. Kjo është “detyra” që Papa Benedikti XVI u la të rinjve në mbarim të Ditës së XXVI Botërore të Rinisë mbajtur në Madridi. Kremtimi i Meshës së Shenjtë në Cuatro Vientos të kryeqytetit spanjoll ishte edhe përqafimi i madh i fundit i të rinjve të mbarë botës me Papën para se të merrnin udhën e kthimit drejt vendlindjes. Dita botërore e rinisë, siç tha Papa Ratcinger ishte “festë e fesë”. Për një bilanc të parë të DBR-së, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
Përgjigje: - Sigurisht është bilanc jashtëzakonisht pozitiv, e jo vetëm për numrat – për milionat, që morën pjesë – por edhe e sidomos për frymën e për qartësinë e mesazhit. Besoj se gjithë të rinjtë, që ishin të pranishëm, e kuptuan ç’do të thotë të kërkosh bazën e jetës sate në fe e dëshminë e krishterë në Jezu Krishtin. Kjo u përsërit me shumë qartësi nga Ati i Shenjtë, zbatuar edhe në thirrje të ndryshme, e u jetua nga vetë të rinjtë, me pjesëmarrjen e tyre. Për mua, çasti simbolik i këtyre ditëve, mbetet Adhurimi eukaristik në heshtje, pas stuhisë, gjatë Mbrëmësores në Kuatro Vientos ku, pak minuta pas rrebeshit, të cilin të rinjtë e përballuan pa luajtur qerpikun, u krijua një heshtje e thellë, e paparë ndonjëherë. Një masë vigane njerëzish, në gjunjë, adhuronte të Shenjtnueshmin Sakrament. E kjo do të thotë se të rinjtë e kuptonin ç’po ndodhte, e kuptonin se në atë çast ishin në Jezu Krishtin, në praninë e Tij, se heshtja, vëmendja, lutja e vetë jeta e tyre, i përkiste plotësisht Atij.

Pyetje: - Papa i ftoi të rinjtë ta komunikojnë fenë, duke nisur nga pjesëmarrja aktive në veprimtaritë e famullive, të bashkësive, të lëvizjeve....

Përgjigje: - Natyrisht Ditët Botërore të Rinisë janë një etapë, ku arrihet pas një rruge të gjatë. Të rinjtë vijnë këtu, pasi janë përgatitur, e rikthehen, pastaj, në mjediset e tyre, për ta realizuar konkretisht jetën dhe dëshminë e krishterë. Prej këndej, mund të themi se kuptimi i Ditëve Botërore të Rinisë është pikërisht t’i nisësh për mision të rinjtë pjesëmarrës. E janë të shumta e të ndryshme misionet, që mund të kryejnë. Secili mund e duhet ta gjejë të vetin në dialog me Krishtin e, natyrisht, edhe me ndihmën e Kishës, të përgatitjes së realizuar bashkë me besimtarët e tjerë, që jetojnë si të krishterë. Por, nuk duhet harruar se është fjala për një përvojë jashtëzakonisht të gjerë, për një horizont të pafund, që hapet para të rinjve. Kanë përpara botën e së sotmes e të së nesërmes: një botë që duhet ndërtuar; e kanë edhe Kishën e sotme e të nesërme, që duhet të gjejë format e saj të dëshmisë së krishterë për kohën tonë, për kulturën, për gjuhën, që flasim sot. E kjo është detyrë e madhe, e bukur. Por për t’u kryer si duhet, kërkon fantazi e djersë.

Pyetje: - Një mendim të posaçëm për ata, që deshën, por nuk munden të marrin pjesë në festën e madhe të rinisë... ?

Përgjigje: - Kush mbeti në shtëpi, në botën e sotme – për fat të mirë – mund të marrë pjesë në një mënyrë tjetër në ngjarje të tilla të mëdha. E këtu qëndrojnë edhe epërsitë e komunikimeve shoqërore të ditëve tona. Mund të marrë pjesë përmes televizionit, internetit, radios, twiter, facebook e kështu me radhë. Kujtoj se një numër jashtëzakonisht i madh mesazhesh qarkulluan, jo vetëm këto ditë, por edhe më parë, e mund të vijojnë të qarkullojnë, për të ushqyer miqësitë, që u lidhën; shoqëritë, që nisën.... Papa, gjatë udhëtimit me aeroplan drejt Spanjës, nguli këmbë mbi këtë argument, domethënë mbi marrëdhëniet, që mund të lindin ndërmjet të rinjve, edhe nga vende të ndryshme, në këto rrethana. Ja, këtë miqësi ia vlen barra qiranë ta ruash e ta çosh përpara. E sot kjo është shumë më e mundshme, sesa në të kaluarën. Të përfitojmë prej këtyre mundësive!

Pyetje: - Ajo që, këto ditë, tërhoqi më shumë vëmendjen e mediave, ishte entuziazmi i madh i të rinjve, të cilin nuk mundi ta zbehte e ta ndalonte asnjë pengesë....

Përgjigje: - Kjo është e papritur vetëm për atë, që nuk i njeh të rinjtë, e, sidomos, të rinjtë e impenjuar në Kishë. Them kështu, sepse kush i njeh, nuk çuditet aspak për këtë, madje i fton pa frikë për t’i jetuar këto rrethana, pikërisht sepse e di mirë ç’janë në gjendje të bëjnë. Këtë e pati kuptuar mrekullisht Gjon Pali II, e Benedikti XVI vijon ta pohojë, duke e ditur se mund të mbështetet mbi të rinjtë, mund të shpresojë në ta. Papa e di se po të gjejnë një pikëmbështetje serioze, të patundur, siç është Krishti, e një edukim të mirë të krishterë, mund të kultivojnë ideale të mëdha, të cilat shkojnë shumë përtej aftësisë për të përballuar vapën e stuhinë. Duhet pranuar se vështirësitë e jetës janë më të mëdha. Këto që pamë, janë vetëm shenja të vogla. Por ama tregojnë se kush përballon vështirësi të vogla, mund t’u bëjë ballë edhe problemeve të mëdha, që ndeshen në jetën e përditshme.

Pyetje: - Çfarë do të çojnë në shtëpi të rinjtë e DBR-së?

Përgjigje: - Shpresoj se do të çojnë në shtëpi, pikërisht atë që ishte qëllimi i kësaj DBR-së: bindjen se feja, bazuar në Jezu Krishtin, është e aftë t’i japë kuptim jetës!







All the contents on this site are copyrighted ©.