2011-08-22 17:11:39

Mitingu i Riminit, ngjarje që ringjall shpresat. Mesazhi i Papës dhe Presidentit italian, Napolitano.


Krishti i ngjallur është baza e mbrame e përfundimtare e jetës, është siguria, mbi të cilën mbështetet shpresa, që të krishterët, sot më shumë se kurrë, janë të thirrur ta dëshmojnë. E kjo është edhe zemra e mesazhit të Benediktit XVI, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar pjesëmarrësve në Mitingun e 32-të të miqësisë ndërmjet popujve, i cili vijon në Rimini të Italisë. Mesazhi i Papës u lexua në fillim të Meshës Shenjte, kryesuar nga ipeshkvi i qytetit, imzot Francesco Lambiasi.

“E jeta bëhet siguri pa fund”: tema e Mitingut ngjall një mori pyetjesh. Prej tyre nisen edhe mendimet, që Papa i përcolli turmës, e cila dje mbushte plot Auditoriumin kryesor të Panairit, me urimin - thekson Benedikti XVI – që të jenë shtytje për meditimet gjatë gjithë javës. Mbi të gjitha, pyetja: “Ç’është jeta?”. Përgjigjen mund ta gjesh në etimologjinë latine të fjalës “ex-sistere” – shpjegon Papa – që do të thotë të jesh strukturalisht i varur, i dëshiruar nga dikush, drejt të cilit ke prirjen të shkosh, gati pavetëdijshëm. E në se e ke vetëdijen për këtë përmasë themelore të njeriut, ke edhe sigurinë, që të ndihmon ta përballosh jetën. Këtë mendim, kujtuar nga Papa, e përsëriste vazhdimisht Don Gjusani. Por njohja e zanafillës sate nuk mjafton për ta parë me sy pozitiv jetën, për të lënë gjurmë në histori e për të fituar pjekurinë personale; duhet të hysh – kujton Benedikti XVI – në dashurinë e Atij, që na deshi, duhet t’i afrohesh e të jesh i sigurt se njeriu është krijuar për të mirë. Ja, kjo është edhe zemra e Mitingut. Njeriu nuk mund të jetojë, pa sigurinë për fatin e vet. E atëherë, cila është shpresa, që nuk të zhgënjen? Është Krishti i ngjallur. Në Të – pohon Papa - fati i njeriut u çlirua nga mjegullnaja, që e rrethonte; në Të, Ati i dëftoi ardhmërinë pozitive, që e pret; në Të, jeta bëhet histori e shëlbimit, në të cilën çdo rrethanë është në lidhje me amshimin. Pa këtë vetëdije - nënvizon Papa – njeriu rrezikohet të bëhet pre e emocioneve ose të bjerë në dëshpërim, në kërkimin e mundimshëm të risive kalimtare e zhgënjyese. Drama e shekullit të kaluar – kujton Benedikti XVI - tregoi se kur mungon siguria e fesë dhe e shpresës së krishterë, njeriu humbet rrugën, bëhet viktimë e më të fortit e nis t’ia kërkojë jetën, atij që nuk mund t’ia japë. Përballë këtij skenari, ne, të krishterët, sot, më shumë se kurrë, jemi të thirrur t’i japim përgjigje, kujt kërkon prej nesh arsyen e shpresës, që kemi në shpirt. E jo më pak, ta dëshmojmë në botë këtë shpresë, pa të cilën nuk mund të kuptohet koha as jeta.

“Kur kalohen kohë të vështira, duhet folur me gjuhën e së vërtetës. Sepse e vërteta nuk shkakton pesimizëm, por të nxit të veprosh me guxim e largpamësi, të krijosh kushtet për një shtytje të re, që ngjall në shoqëri shpirtin e ndihmës aktive”. Këtë theksoi Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano. Duke hapur dje, në Rimini, Mitingun e 32-të për miqësinë ndërmjet popujve, preku nervin e krizës ekonomike, që vijon të trondisë botën perëndimore. Presidenti i shikoi me shpresë - duke cituar Benediktin XVI – edhe burimet që shpërthejnë nga kërkimi i përhershëm, i frytshëm, i formave të drejta të bashkëpunimit ndërmjet bashkësisë civile e asaj fetare.
Prej këndej, Napolitano theksoi se për të dalë nga kriza, duhet guximi, shpresa, vullneti, impenjimi i të gjitha forcave e burimeve, sepse shteti, i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë një situate kaq të ndërlikuar, si kjo e sotmja. Madje nuk mund të përballojë asnjë situatë.
Duket qartë se sivjet tema e Mitingut të Riminit tingëllon si ftesë për të reaguar në mënyrë pozitive përballë krizës ndërkombëtare!







All the contents on this site are copyrighted ©.