Mesazhi i Vatikanit për përfundimin e Ramazanit: Ne të krishterë e myslimanë besojmë
në Zotin që na udhëheq në udhën tonë të jetës.
“Marrëdhënia e çdo njeriu me përmasën transhendentale nuk është fryt i rrethanave
të historisë, por është e shkruar në vetë natyrën njerëzore. Ne nuk besojmë në rastin,
por jemi të bindur – siç e provojmë çdo ditë - se Zoti na prin në udhën tonë”. Kështu
shkruhet mes tjerash në mesazhin, nënshkruar nga kardinali Jean-Loius Tauran e kryeipeshkvi
Pier Luigi Celata – President e sekretar të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar,
me rastin e përfundimit të Ramazanit. Si çdo vit, një shenjë miqësie e dialogu me
botën myslimane, për Id al-fitr – mbylljen e muajit të Ramazanit, një muaji të veçantë
urate, dashuria, bamirësie e solidariteti me të varfrit – Këshilli Papnor për Dialogun
Ndërfetar u dërgon një mesazh përgëzimi e urimi myslimanëve. Mesazhi, si zakonisht
ka si përmbajtje, urimet, përgëzimet dhe një reflektim mbi një temë të veçantë me
interes të përbashkët, e sivjet mesazhi përqendrohet mbi temën e përmasës shpirtërore
të njeriut. Një realitet ky që “të krishterët e myslimanët e konsiderojnë si jetë
të rëndësishëm, para sfidave të materializmit e të shekullarizimit”. Si të krishterët
e myslimanët, pavarësisht nga ndryshimet, e njohin dhe mbrojnë dinjitetin e njeriut,
me të drejtat e detyrat e tij. Të dyja palët mendojnë se arsyeja e liria janë dhurata
po aq të çmuara që duhet t’i inkurajojnë besimtarëve, t’i pranojnë këto vlera, që
i kemi të përbashkëta, sepse mbështetën mbi të njëjtën natyrë njerëzore. Ja, pra,
pse të dyja palët kemi të njëjtin shqetësim: t’ua transmetojmë këto vlera njerëzore
e morale breznive të reja. Na takon ne t’i ndihmojnë të zbulojnë ç’është e mirë e
ç’është e keqe, t’u tregojmë se ndërgjegjja është shenjtërore, që duhet respektuar;
se përmasa shpirtërore i bën njerëzit më të përgjegjshëm, më solidarë e më të gatshëm
për t’i shërbyer së mirës së përbashkët”. Por mjerisht, - kujton mesazhi i Selisë
së Shenjtë – “tepër shpesh të krishterët e myslimanët janë dëshmitarë të shkeljes
e të dhunimit të gjërave të shenjta dhe të mosbesimit ndaj atyre, që deklarojnë haptazi
se janë besimtarë”. Për këtë, “nuk mund të mos i dënojmë e denoncojmë të gjitha format
e fanatizmit e të frikësimit, të paragjykimeve e të polemikave”, e sidomos, “të diskriminimeve
të besimtarëve, në jetën shoqërore e politike, ashtu si edhe në fushën e mjeteve të
komunikimit”.