Me 22 gusht kalendari kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë
Maria, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha si
shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin mbretërore
të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë përjetësisht
në amshim me Të. Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, që përkon
me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të
kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian
në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer
të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i afruar
pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell. Ky
vend krejt i veçantë, pranë Krishti Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët
shpjegohen nga Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’ (11 tetor 1954), duke
nisur nga titulli Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik, për të vijuar me
titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo
vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues
mbi gjymtyrët e Korpit mistik. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si
fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po ta
shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si
mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi
gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan
Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke
u lutur. E urdhrat nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është
hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë
me të Ngjallurin. Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është
mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe
i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim
shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretneshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë
kunora, Që e popujve edhč e kombeve Desht me vendue dora, Kah n’ ahte t’
njëmijë zemrave, Toka ty t’ thotë se t’ don!”.