Bie Tripoli, por nuk dihet ku është lideri i Libisë, Gedafi
Festë në Tripoli të Libisë, ku kryengritësit kanë shtënë në dorë të paktën 95% të
qytetit, pavarësisht se vazhdojnë luftimet përreth vendit ku strehohet kolonel Muhamar
Gedafi. Libianët u grumbulluan në Sheshin e Gjelbërt, qendër e pushtetit politik të
raisit, tani Sheshi i Martirëve. Ky është lajmi i fundit, që vjen nga Libia, ku prej
kohësh ndeshen forcat kryengritëse me ato besnike të Gedafit e ku vazhdojnë bombardimet
e NATO-s. Dëshmitarët nga Tripoli tregojnë se pjesa më e madhe e qytetit ka rënë
në duart e rebelëve, të cilët kanë arrestuar edhe dy nga tetë bijtë e raisit. Në kryeqytet
mbretëron pasiguria e përgjithshme. Nuk ekziston një vijë e dallueshme fronti, pasi
njerëzit e Gedafit janë shpërndarë kudo, duke përdorur taktikën e guerriljes. Libianët
ngrenë krye edhe jashtë vendit. Një dyzinë me libianë hynë sot në ambasadën e tyre
në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, ku hodhën nga dritarja portretet e kolonelit,
ngritën flamurin tringjyrësh të rebelëve dhe i kërkuan ambasadorit të largohet. Ky
i fundit, besnik i Gedafit, dhe refuzoi të largohet, duke thirrur policinë boshnjake,
e cila aktualisht ndodhet si brenda, ashtu edhe jashtë ndërtesës. E njëjta gjë ndodhi
po sot në Greqi, në Turqi e në Kuvajt. Marrja e Tripolit u përshpejtua nga ikja
e numrit dy të regjimit, Abdel-Salam Jalloud, i cili të premten u strehua në Itali,
por edhe si rezultat i planit të përgatitur mirë nga rebelët, NATO-ja dhe banorët
anti-Gedafi të kryeqytetit libian. Vërtet, të dielën, kryengritësit morën njërin qytet
pas tjetrit deri në Tripoli, në portat e të cilit u dorëzua batalioni që e mbronte,
pasi komandanti i tij ishte në fshehtësi kundër liderit libian, që i kishte vrarë
të vëllanë para disa vjetësh. Presidenti amerikan, Barak Obama i bëri thirrje Gedafit
të largohet për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme, por theksoi edhe se Libia po
çlirohet nga një tiran. Krerët e vendeve të NATO-s shprehën shqetësimin për civilët
e përfshirë në konflikt. Edhe vetë liderët e kryengritësve kanë shpërndarë sot një
komunikatë, me të cilën i ftojnë rebelët të jenë të moderuar e të mos hakmerren, duke
respektuar robërit e luftës. Duket qartë se përfundoi një epokë, “epoka e diktaturës”.
I vetmi që nuk e pranon këtë fakt është pikërisht Muhamar Gedafi, i cili nuk dihet
se ku është fshehur. E derisa të mbetet fantazmë, akoma nuk mund të flitet për kthesë
të plotë e përfundimtare në Libi.