2011-08-22 16:04:17

Akoma dhunë kundër të krishterëve në Indi


Me afrimin e përvjetorit të tretë të pogromit të vitit 2008, që ekstremistët hinduistë do ta festojnë si Ditë e “mbrojtjes së fesë”, shtohen episodet e dhunës kundër të krishterëve në Indi. Ata akuzohen se i kthejnë njerëzit me forcë në krishterim.

Dje, në shtetin Karnataka, ku dhuna pati shkaktuar 38 viktima, ekstremistët hynë në shtëpinë e një besimtari, në të cilën që prej tre vjetësh kremtohet mesha e së dielës, rrahën pastorin pentekostal, që edhe u arrestua nuk dihet për ç’arsye, dhe dhunuan bukën e verën e shuguruar. Në shtetin e Orisës, kreu i krishterë i Nandaxhirit u thirr në gjykatë për t’i urdhëruar shkatërrimin e një kishe të sapondërtuar në qytet. E njëjta gjë në Kandhamal, ku u ndalua ndërtimi i një kishe tjetër.

Më 24 gusht, katolikët e pentekostalët do të mblidhen në një ditë lutjeje e përkujtimi të viktimave. Ishte 23 gushti i vitit 2008, kur vrasja e kreut ekstremist hinduist, Laksamananda Sarasuati, për të cilën u akuzua padrejtësisht bashkësia e krishterë, shkaktoi një valë çmendurie të paparë, që la pas 75 të vdekur, rreth 300 kisha të shkatërruara, mëse 5 mijë banesa shkrumb e hi dhe 56 mijë të krishterë, në largim nga vendlindja.

Sot, pas tre vjetësh, realiteti i bashkësive të mbetura karakterizohet akoma nga urrejtja, diskriminimi e dhuna, pavarësisht nga impenjimi i qeverisë qendrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.