2011-08-21 18:22:34

Papa, vullnetarëve të DBR-së: përgjigjjuni me dashuri, dashurisë së Krishtit për ju


Veprimtaria e parë e Papës, sot pasdite, pak para se të kthehej në Romë, ishte takimi i përzemërt me vullnetarët e Ditës Botërore të Rinisë në Madrid, të cilët bënë të mundur që çdo gjë të zhvillohej në kohët e në mënyrat e caktuara. Benedikti XVI nuk mungoi ta verë në dukje këtë, në fjalën që u drejtoi, dhe t’i falenderojë me gjithë zemër. Jam i sigurtë, u tha Ati i Shenjtë, se Zoti do ta shndërrojë lodhjen, shqetësimet e ankthin, që patët, në fryte virtytesh të krishtera. Shërbimi ndaj të tjerëve e mbush plot dashuri shpirtin:RealAudioMP3
“Kur të ktheheni në jetën e zakonshme, ju nxis ta ruani fort në zemër këtë përvojë të gëzueshme e t’ia dhuroni përditë e më shumë veten Zotit e njerëzve. Ka mundësi që në shumë prej jush të jetë shfaqur, e lehtë ose me forcë, një pyetje shumë e thjeshtë: Çfarë do Zoti prej meje? Cili është plani i Tij për jetën time? A po më thërret Krishti ta ndjek më nga afër? A s’do të ishte mirë ta kaloja jetën duke i shpallur botës madhështinë e dashurisë së Tij përmes meshtarisë, jetës së shuguruar, ose martesës?”
Nëse i ndjeni këto pyetje, u tha Papa vullnetarëve, duhet ta lejoni Krishtin t’ju udhëheqë. E duke qeshur, Benedikti XVI vuri në dukje se ndokush nga vullnetarët mendon se Papa, në vend që të takohet me ne për të na falenderuar, na bën kërkesa. Por ky është misioni i Pasardhësit të Shën Pjetrit, i cili u kujton të krishterëve çmimin e paguar për t’i shëlbuar, gjakun e Krishtit:
“Ai që e vlerëson jetën e vet nga kjo perspektivë, e di se dashurisë së Krishtit mund t’i përgjigjesh vetëm me dashuri, e këtë ju kërkon Papa: t’i përgjigjeni me dashuri Atij, që, për hir të dashurisë, u dorëzua për ju”.







All the contents on this site are copyrighted ©.