2011-08-21 16:43:57

Në Meshën e përfundimit të DBR-së në Madrid, Papa të rinjve shpallni dashurinë e Krishtit gjithë botës.Takimi i ardhshëm, në Rio-de-Zhanéjro, më 2013


Shpalljani të gjithë botës dashurinë e Krishtit: kjo është “detyra”, që Benedikti XVI u la të rinjve në përfundim të Ditës së 26-të Botërore të Rinisë, që u mbyll sot në Madrid të Spanjës. Morën pjesë në Eukaristinë, që u kremtua sot paradite, në aeroportin “Cuatro Vientos” të kryeqytetit, rreth dy milion vetë, të cilët mbushën jo vetëm fushën, por edhe krejt zonat përreth, ku ishin vendosur ekrane të mëdha. Ishin aty edhe 400 të rinjtë nga Shqipëria, së bashku me tre ipeshkvij. Të rinjtë, që tashmë e quajnë veten “rinia e Papës”, e pritën Benediktin XVI me duartokitje, këngë e alegri të jashtëzakonshme. Të pranishëm në Meshë edhe sovranët e Spanjës, mbreti Huan Karlos dhe mbretëresha Sofia.RealAudioMP3
Pas aventurës së djeshme, me shi e erë të fortë gjatë Lutjes së Mbrëmjes, të rinjtë u mblodhën sot, më të gëzueshëm së kurrë, për ta bërë Papën ta ndjente ngrohtësinë dhe entuziazmin e tyre. E që në fillim, Benedikti XVI iu drejtua pa letër:
“Të dashur të rinj, kam menduar shumë për ju gjatë këtyre orëve, që nuk jemi parë. Shpresoj të keni fjetur pak, pavarësisht nga koha e keqe… Zoti e nxjerr të mirën nga çdo gjë. Me këtë besim, duke e ditur se Zoti nuk na braktis, të fillojmë Kremtimin tonë Eukaristik plot me entuziazëm e të patundur në fe”.
Feja e ka zanafillën në iniciativën e Zotit, por kërkon që njeriu ta pranojë, të krijojë marrëdhënie personale me Jezu Krishtin, kujtoi Papa gjatë homelisë, pas leximit të pjesës së Ungjillit, ku flitet për fenë e shën Pjetrit. Edhe juve, u tha Benedikti XVI të rinjve, Krishti ju drejton sot të njëjtën pyetje: “Kush thoni se jam unë?”
“Përgjigjjuni me bujari e guxim, ashtu siç di të bëjë një zemër e re si e juaja. T’i thoni: Jezus, unë e di se Ti je Biri i Zotit, që ke dhënë jetën për mua… Ti më njeh e më do. Unë të besoj dhe e lëshoj krejt jetën time në dorën tënde”.
Por, për të shkuar pas Jezusit, duhet ecur me Të në Kishë. Nuk mund ta ndjekim Krishtin të vetëm, nënvizoi Ati i Shenjtë. Kush e jeton fenë sipas mendësisë individualiste, që mbizotëron në shoqërinë e sotme, rrezikon të mos e takojë kurrë Jezu Krishtin, ose të ndjekë një imazh të rremë të Tij:
“Ju kërkoj, të dashur miq, ta doni Kishën… Për miqësinë tuaj me Krishtin është themelore ta kuptoni rëndësinë e pjesëmarrjes me gëzim në famulli, në bashkësi e në lëvizje të ndryshme, ashtu si edhe në Eukaristi, çdo të dielë; ta kuptoni rëndësinë e rrëfimit, të lutjes, të meditimit të Fjalës së Zotit”.

Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, po në aeroportin “Cuatro Vientos” të Madridit, Papa pati fjalë edhe për miqtë e të rinjve. Do të pyesin, tha Benedikti XVI, se ç’ka ndryshuar brenda jush, pas DBR-së:
“Sa shumë kam menduar këto ditë për ata të rinj, që presin kthimin tuaj! U çoni atyre dashurinë time, në veçanti më fatkeqëve, si edhe familjeve tuaja e bashkësive të krishtera, të cilave u përkisni”.
E së fundi, lajmi për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, pas dy vjetësh:
“Kam kënaqësinë të lajmëroj tani se vendi i Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, në vitin 2013, do të jetë Rio-de-Zhanéjro”.

Kështu, të rinjtë spanjollë u dorëzuan bashkëmoshatarëve të tyre brazilianë, Kryqin e DBR-ve. Për arsye sigurie, shumë nga të rinjtë, që ishin të pranishëm në Meshën e paradites, nuk mundën të merrnin Kungimin e Shenjtë. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi njofton në një notë, se vendimi u mor nga drejtuesit e policisë spanjolle, pas dëmeve të shkaktuara nga stuhia e mbrëmshme. Vërtet, disa tenda ku ruheshin Hostet e shuguruara u mbyllën për të shmangur shkatërrimin e tyre.
Zemra, qendra e kësaj Dite Botërore të Rinisë ishte pa dyshim, ungjillëzimi i ri. Në fund të Meshës, kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislao Rilko e falenderoi Papën disa herë, me forcë, për fjalët e tij shpresëdhënëse. Një falenderim i veçantë edhe për të Lumin Gjon Pali II, i cili u bëri dhuratë të rinjve Ditët e tyre Botërore, para 25 vjetësh.
“Sa jetë kanë ndryshuar! – vërejti prelati. Sa thirrje kanë lindur! Sa fryte shenjtërie!” Kardinali kujtoi se kjo që shihej, e pranishme sot në Madrid, është rinia e Papës dhe se “të gjithë të rinjtë janë gati të nisen nga Madridi drejt botës mbarë” si apostuj të ungjillëzimit të ri, për të shpallur se vetëm në Krishtin e vdekur e të ringjallur ka shpëtim:
“Bekojeni o Atë i Shenjtë këtë popull të rinjsh misionarë ‘të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe’, gati për të shkuar e dëshmuar fenë deri në kufijtë e tokës! Faleminderit, Atë i Shenjtë!”

Papa u dorëzoi pesë të rinjve kryqin e misioneve. Një gjest përforcues për fjalët, që u tha gjatë homelisë së Meshës e gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot:
“Çojeni dashurinë e Krishtit në të gjithë botën e tregojini si pranohet Ai. Jezusi dëshiron të jeni apostujt e tij në shekullin XXI e lajmëtarë të gëzimit të tij. Mos e zhgënjeni! Ju falenderoj”.

Nga Madridi, pra, ku akoma dëgjohet rrahja e zemrës së të rinjve për Krishtin, rreth 2 milion vetë nisen në të gjithë botën për të shpallur Ungjillin edhe në skajet më të largëta të globit.







All the contents on this site are copyrighted ©.