2011-08-21 18:22:06

E paharrueshme, mbrëmësorja e Lutjes e DBR-së në Kuatro Vientos. Papa ia kushton të rinjtë Zemrës së Krishtit.


Natë e paharrueshme pa gjumë, në lutje, mbrëmë, për pjesëmarrësit në DBR-së të Madridit, mbledhur rreth Papës në Aeroportin e Kuatro Vientos. E paharrueshme për gëzimin, entuziazmin, lutjen e dy milionë zemrave të reja, gjatë Adhurimit Eukaristik. E paharrueshme edhe për stuhinë e papritur, që rrahu me erë e rrebesh sheshin e madh, duke e detyruar Papën ta ndërpresë homelinë. Gjithsesi, as Papa e as të rinjtë nuk u trembën, edhe në çastin kur një çadër u shemb papritmas nga era e fortë, duke plagosur lehtë shtatë vetë....RealAudioMP3

Shiu e era vijuan të tërbohen – të rinjtë, të këndojnë, të duartrokasin e të brohorasin emrin e Benediktit XVI. Papa, tejet i kënaqur, i falënderoi për entuziazmin, në një kohë kaq të papërshtatshme për gjithë këtë hare:
“Gracias por esta alegria e resistencia …
Ju falënderoj për gëzimin, qëndresën, forcën, më të fortë se shiu. Zoti, bashkë me shiun, çon edhe shumë bekime”.
Pas ndërprerjes, e cila zgjati më se 10 minuta për shkak të kohës së keqe, duke krijuar edhe probleme në dëgjimin e zërit, Papa e kapërceu homelinë dhe kaloi menjëherë tek përshëndetjet në gjuhë të ndryshme:
“Le Christ seul peut répondre aux aspirations que vous portez en vous...
Vetëm Krishti – u tha të rinjve të gjuhës franceze – mund t’u përgjigjet dëshirave që keni në zemër. Lëreni Zotin t’ju pushtojë, që prania juaj në Kishë t’i japë asaj një shtytje të re”.
“May he pour out his Spirit upon us and upon the whole Church …
Dashtë Zoti – tha në anglisht – ta ndikojë Shpirtin e vet mbi ne e mbi të gjithë Kishën, që të bëhemi fanar lirie, pajtimi e paqeje për mbarë botën”.
“Tief in unserem Herzen sehnen wir uns nach dem Großen und Schönen im Leben...
Nga thellësia e zemrës – u tha të rinjve të gjuhës gjermane - dëshirojmë gjithçka është e madhe dhe e bukur në jetë. Mos lejoni që dëshirat e ëndrrat tuaja të humbasin, por realizojini, në Jezu Krishtin. Ai vetë është themeli, mbi të cilin mund të ecësh i sigurt e pikëmbështetja e patundur për një jetë të përkryer”.
Më pas, Papa iu drejtua të rinjve italianë:
Cari amici, questa Veglia, con tutte queste avventure,
“Të dashur miq, kjo mbrëmësore do të mbetet përvojë e paharrueshme në jetën tuaj. Ruajeni gjithnjë flakën, që Zoti ndezi në zemrat tuaja në këtë natë: mos lejoni të shuhet, duke e ushqyer ditë për ditë; ndriçojini me të edhe bashkëmoshtarët tuaj, që jetojnë në errësirë e kërkojnë një dritëz, për të gjetur udhën”.
“Jovens amigos, vale a pena ouvir dentro de nós a Palavra de Jesus...
Të rinjtë portugezë, Papa i ftoi ta ndjekin pas Jezusin me besnikëri:
“Miq të rinj, ia vlen mundimi të dëgjosh në zemër Fjalën e Jezusit e të ecësh, duke ndjekur gjurmët e tij. Lutjuni Zotit t’ju ndihmojë për të zbuluar thirrjen tuaj në jetë e në Kishë, e për ta bërë realitet me gëzim e besnikëri, duke qenë të sigurt se Ai nuk të braktis kurrë e kurrë nuk të tradhton! Ai është me ne deri në fund të fundit të botës!”.
“Pewni Jego miłości zblżcie się do Niego płomieniem waszej wiary…
Në gjuhën polake, Papa i nxiti të rinjtë të jenë të sigurt për dashurinë e Zotit, që i mbush plot zemrat tona me jetën e vet.
Pas gëzimit të papërmbajtshëm të të rinjve, në aeroportin vigan ra heshtja e thellë, prekëse e Adhurimit eukaristik. Dy milionë vetë u gjunjëzuan njëherësh përpara Jezusit Eukaristi në natën e trazuar të Kuatro Vientos. Çast tejet emocionues, kulmor, i pasuar nga akti i kushtimit të të rinjve Zemrës së Krishtit:
“Señor Jesucristo, Hermano, Amigo y Redentor del hombre …
“O Zot, Jezus, Vëlla, Mik e Shpërblyes i njeriut, priri me dashuri sytë e tu mbi të rinjtë e mbledhur këtu e hapu atyre burimin e amshuar të mëshirës sate, që buron nga zemra jote e shporuar mbi Kryq. Duke iu përgjigjur thirrjes sate, erdhën për të ndenjur me ty e për të të adhuruar. Me lutjen time të zjarrtë, po ia kushtoj Zemrës sate që, të rrënjosur e të bazuar në ty, të të përkasin përgjithmonë, në jetë e në vdekje. Të mos largohen kurrë nga Ti! Jepu një zemër, si tënden, të butë e të përvujtë, që të mund ta dëgjojnë gjithnjë zërin tënd e mësimet tuaja, të bëjnë Vullnesën tënde e të jenë, në mes të botës, lavdi e lumnisë sate, e njerëzit, duke parë veprat e tyre, të lavdërojnë Atin”.
Në homelinë, që Papa nuk mundi ta shqiptonte, por që ua shpërndau të rinjve, për ta lexuar në një çast më të qetë, Benedikti XVI kujton se e vërteta e madhe e jetës sonë, që i jep kuptim të gjitha gjërave të tjera, është se “Zoti na do”, se ne nuk jemi fryt i rastësisë, e as i irracionalitetit. Në zanafillë të jetës sonë është plani i dashurisë së Zotit.
Nuk duhet t’i përshtateni asgjëje, përveç Vërtetësisë e Dashurisë; askujt, përveç Krishtit – i nxiti Papa të rinjtë, duke pohuar, më pas, se në një kohë kur kultura relativiste sunduese heq dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe e përbuz këtë kërkim, që është aspirata më e lartë e shpirtit njerëzor, duhet të propozojmë me guxim e përvujtëri vlerën universale të Krishtit, si shëlbues i të gjithë njerëzve e burim i shpresës për jetën tonë.
Asnjë kundërshtim nuk duhet t’ju paralizojë – i fton Papa të rinjtë. E mos kini frikë nga bota, as nga e ardhmja, e as nga ligështia. Zoti ju dha jetën në këtë çast të historisë, që falë fesë suaj të vijojë kumbimi i fuqishëm i emrit të tij në tokën mbarë.
Së fundi, në këtë Mbrëmësore jo të zakonshme, Papa iu drejtua të rinjve me këto fjalë:
“Queridos jóvenes hemos vivido una aventura juntos…Të dashur të rinj, e jetuam së bashku këtë aventurë. Të forcuar nga feja në Krishtin i bëtë ballë shiut.. Ju falënderoj për flijimin tuaj, për hir të Zotit... Ju falënderoj për shembullin e shkëlqyer, që dhatë. Kështu, si në këtë natë, me Krishtin do të mund t’i përballoni të gjitha provat e jetës. Mos e harroni kurrë këtë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.