Papa në Udhën e Kryqit me të rinjtë: "mos kaloni me indiferentizëm para vuajtjes njerëzore"
Zojës, Nënës së Krishtit, shembull jete për të rinjtë e për të gjithë besimtarët e
krishterë, iu drejtua lutja e mendimi i Papës, në përfundim të Udhës së Kryqit me
të rinjtë e DBR-së në Madrid, e cila filloi në orën 19.30. Benedikti XVI shkoi në
sheshin Sibeles, pas drekës me një delegacion të rinjsh në Nunciaturën apostolike
të Spanjës dhe pas takimit zyrtar me kryeministrin spanjoll Zapatero. Udha e Kryqit
në Spanjë, traditë fetare me karakter tejet popullor, ka prekur thellë në rrjedhë
shekujsh një mori artistësh të mëdhenj, posaçërisht piktorë e skulptorë. Prej këndej,
thirrjes së kardinalit Varela, kryeipeshkvit të Madridit, për ta bërë sa më të ndjeshme
Udhën e Mundimeve të Zotit, iu përgjigjen menjëherë 13 Bashkëvëllazëri (Cofradías)
nga të katër anët e Spanjës, duke ofruar grupet skulpturore, që janë vendosur në Sheshin
Sibeles, si ikona, përmes të cilave rijetohen të 14 stacionet e Udhës së Mundimshme
të Kalvarit. Janë vepra antike të skulptorëve të njohur, të cilat formojnë pasurinë
historike liturgjike të Javës së Madhe të Pashkëve në Spanjë. Proçesionit, që shkoi
nga një grup skulpturor tek tjetri, i prinin dy të rinj me pishtarë, nga një për çdo
bashkëvëllazëri, e dhjetë të rinj të tjerë, të ardhur nga vende të ndryshme. Me radhë,
ata mbartnin Kryqin e DBR-ve, ndërsa lexoheshin meditimet, shkruar për këtë rast nga
Motrat e Kryqit të Seviljes. Bashkë me Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht, Udha e Kryqit
kujtoi vuajtjet e të rinjve në të katër anët e botës, ku vijojnë luftërat, vëllavrasjet,
persekutimet për shkak të fesë, përjashtimi nga radhët e shoqërisë, drogimi, aborti,
terrorizmi, katastrofat natyrore. Në njërën nga ndalesat e pikërisht në stacionin
e tetë, Kryqin e DBR-ve e mbajtën të rinjtë nga Shqipëria. Është ndalesa, në të cilën
përkujtohet guximi i shën Veronikës, që la pas gratë e përlotura, kapërceu radhën
me ushtarë e i fshiu Krishtit fytyrën e përgjakur. Meditimi i shkruar nga Motrat e
Kryqit të Seviljes, jo më kot, kujtoi diktaturën komuniste: “Jezusi – u shqiptua në
këtë ndalesë – ka mëshirë për gratë e Jeruzalemit e në pëlhurën e Veronikës lë vulën
e fytyrës së vet, e cila na kujton sa e sa njerëz të shpërfytyruar nga regjimet ateiste,
që e shkatërrojnë personin dhe e privojnë atë nga dinjiteti”. Gjatë fjalës
së tij, Papa, dashuronjës e njohës i thellë i artit, nuk ndenji pa i përmendur skulpturat
e 14 ndalesave të Udhës së Kryqit. “Në to – theksoi Benedikti XVI – feja e arti
harmonizohen, për të arritur në zemrën e njeriut e për ta ftuar atë të kthehet kah
Zoti. Kur vështrimi i fesë është i kristaltë e i vërtetë, bukuria vihet në shërbim
të tij e na bën t’i përfytyrojmë misteret e shëlbimit tonë derisa të mallëngjehemi
thellë e ta shndërrojmë zemrën…” Mundimet e Krishtit, vazhdoi Ati i Shenjtë,
na shtyjnë të mbajmë mbi shpatulla vuajtjet e botës, me sigurinë se Zoti nuk është
larg nga njeriu e historia e tij. Duke u bërë njëri prej nesh, Ai merr mbi vete edhe
vuajtjen tonë e na ngushëllon me dashurinë hyjnore, nga e cila lind ylli i shpresës.
Që këtej, thirrja për të rinjtë: “Ju që jeni shumë të ndjeshëm ndaj idesë së
bashkëndarjes së jetës me të tjerët, mos kaloni me indiferentizëm para vuajtjes njerëzore,
ku Zoti pret që të ofroni ç’keni më të mirë brenda jush: aftësinë për të dashur e
për të mëshiruar”. Benedikti XVI pohoi se “vuajtja me të tjerët, për të
tjerët; vuajtja nga dashuria për të vërtetën e për drejtësinë; vuajtja për shkak të
dashurisë e për t’u bërë njeri, që dashuron me të vërtetë, – këto janë elementet themelore
të humanitetit, braktisja e të cilave do ta shkatërronte vetë njeriun”. “Kryqi
– tha në fund Ati i Shenjtë – me formën e kuptimin e vet përfaqëson dashurinë e Atit
e të Krishtit për njerëzit. Në të shohim ikonën e dashurisë më të lartë, nga e cila
mësojmë të duam ç’do Zoti e ashtu si Ai: ky është Lajmi i Mirë, që i jep shpresë botës”. Në
Shesh ishte ekspozuar edhe një grup skulpturor kushtuar Virgjërës Mari, që njihet
si Zoja e Reglës së Seviljes. Kësaj Zoje, Shtatorja e së cilës është vendosur në anën
e djathtë të podiumit papnor, iu drejtua lutja përfundimtare e Papës.