2011-08-20 15:52:32

Më 20 gusht kalendari kishtar përkujton shën Bernardin të Kiaravale, Abat


Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës, sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë e madhe të Etërve. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur. Në rini e tërhoqën të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë, ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e këshillave ungjillore.
Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe, u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.
Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderueshëm, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën e kaluar.
Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve”.
Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha kohëve.
Po e përfundoj këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura:
“Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).







All the contents on this site are copyrighted ©.