2011-08-20 15:03:57

Jardines del Buen Retiro


Madridi nuk ka shumë hapësira të gjelbëruara, prandaj parku “Buen Retiro”, që shtrihet pas Muzeut të Prados konsiderohet mushkëria e gjelbërt e qytetit. Parku prej 118 hektarësh është projektuar dhe realizuar ndërmjet viteve 1630 e 1640 për dëfrimet e oborrit mbretëror. Parku u hap për qytetarët nga mbreti Karli III, monark mendjendritur, që e udhëhoqi vendin nga viti 1759 deri në vitin 1788. Gjithsesi, mbreti specifikonte se qytetarë, që mund të hynin në park, duhej të ishin “të pastër e të veshur mirë”. Gjatë pushtimit të Napoleonit, në vitin 1808, kopshtet e parkut u përdorën si fortifikata. Pas luftës së pavarësisë, filloi rindërtimi e, në vitin 1868, kopshtet bëhen pronë komunale. Parku “Buen Retiro” është një nga vendet më të bukura për shëtitje të banorëve të Madridit, të cilët shkojnë aty sidomos të dielave. Parku shndërrohet në një cirk në qiell të hapur me muzikantë, pehlivanë, zhonglerë, në atmosferën tipike gazmore të Madridit.







All the contents on this site are copyrighted ©.