2011-08-20 19:51:07

DBR-së: sonte mbrëmësorja e Lutjes së Papës me të rinjtë e botës, në aeroportin e Madridit “Kuatro Vientos”.


Dita III e Shtegtimit Apostolik të Papës në Spanjë, për Takimin Botëror të Rinisë, në Madrid. Ditë e ngarkuar me veprimtari të jashtëzakonshme, duke nisur nga rrëfimi i 4 të rinjve, për të përfunduar me një nga kulmet, me natën pa gjumë të lutjes, në përfundim të së cilës Papa do t’ia kushtojë të rinjtë Zemrës së Krishtit.RealAudioMP3
Në sa ne po transmetojmë, mbi Madridin dalëngadalë nis të bjerë muzgu. Muzg i një nate të paharrueshme. Tashmë Papa ka arritur në aeroportin ‘Kuatro Vientos’, ku, në orën 20. 20 nisi kremtimi i Mbrëmësores së lutjes me të rinjtë. Qindra mijëra të rinj, me çantat në shpinë, vërshuan drejt aeroportit, të madh sa 48 fusha futbolli, nga të gjitha dioqezet e Spanjës, që i përbujtën në ditët e para. Është një nga kulmet e kësaj Dite Botërore të Rinisë, që do të mbyllet të dielën, me Meshën solemne, për t’i hapur udhën një dite të re botërore, e cila do të kremtohet në një vend ende të panjohur. Do ta shpallë nesër vetë Papa.
Kremtimi, i nisur prej një ore, ka tri pjesë kryesore. Filloi me procesionin, të cilit i priu Kryqi, i mbartuar nga 5 të rinj që përfaqësojnë 5 kontinentet. Një grup tjetër të rinjsh mbarti Ikonën e Zonjës së Bekuar, të shoqëruar me pishtarë. Kryqi e Ikona u vendosën në vendet e caktuara, ndërsa të rinjtë e bënë natën ditë, duke ndezur qirinjtë, që i kishin në çantat e shtegtarit.
Tani po fillon pjesa e dytë e kremtimit të Mbrëmësores, Liturgjia e Fjalës. Disa të rinj i drejtojnë pyetje Papës. Ati i Shenjtë u përgjigjet pas leximit të Ungjillit të Shën Gjonit (Gjn. 15,1-10), për të mbajtur, më pas, homelinë.
Çastet përfundimtare të Mbrëmësores i kushtohen Ekspozimit dhe Bekimit të Shenjtnueshmit Sakrament. Rreth orës 22. 15 Papa do të rikthehet në Nunciaturën Apostolike, për të kaluar natën, në sa përgatitet për Meshën solemne, me të cilën do të mbyllet Takimi XXVI Botëror i të Rinjve, Dita e Madridit!
Për të rinjtë, kjo natë pa gjumë është, mbi të gjitha, udhë feje, shtegtim modern, siç nënvizon një e re meksikane:“Është shtegtim i veçantë i universalitetit të Kishës: të gjithë këtu jemi të rinj e të gjithë kemi ardhur për të njëjtën gjë: për t’u takuar me Krishtin. Është takim, që ia ndryshon shumëkujt rrugën e jetës. Emocion i papërshkrueshëm! Lum kush e provon!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.