Ati i Shenjtë seminaristëve: shembëllejini Krishtit në dashurinë e tij deri në fund,
për të gjithë.
"Edhe në se ju përbuzin, mos kini frikë. Një jetë e rrënjosur në Krishtin nuk
mund të mos i tërheqë ata, që kërkojnë Zotin!”. Kjo, thënë me dy fjalë, ishte porosia
e Papës për seminaristët e rinj, në homelinë e Meshës, kremtuar sot paradite në Katederalen
kushtuar Shën Marisë la Real de la Almudena. Brenda në katedrale, e pritën më se njëmijë
seminaristë: mijëra të tjerë, nga të katër anët e botës, e ndoqën Eukaristinë nga
jashtë, nga sheshi, që shtrihet përballë Pallatit Mbretëror. Ishte një Meshë solemne,
kushtuar Jezu Krishtit, Meshtar i amshuar, kryesuar nga Benedikti XVI, në bashkëkremtim
me një numër të madh ipeshkvijsh, pjesëmarrës në DBR-së. Mesha, që shoqërohej me muzikë
e këngë gregoriane, nisi me përshëndetjen e kryeipeshkvit të Madridit, kardinalit
Varela, i cili pikërisht sot kremtoi 75-vjetorin e ditëlindjes, dhe të një seminaristi.
Në përfundim të kremtimit, Ati i Shenjtë njoftoi se së shpejti do ta shpallë meshtarin
Shën Gjoni i Avilës, Doktor i Kishës:.... “Queridos
amigos os preparáis para ser apóstoles con Cristo y como Cristo, … Të
dashur miq, përgatituni të jeni apostuj, me Krishtin e si Krishti, për të qenë shokë
udhe e shërbëtorë të njerëzve”. Janë fjalët që Papa ua drejtoi mijëra seminaristëve
të rinj, të pranishëm në meshë, të cilët i porositi kryesisht t’i shëmbëllejnë Krishtit: “Configurarse
con Cristo comporta, queridos seminaristas, identificarse… T’i shembëllesh
Krishtit do të thotë të bëshesh gjithnjë më shumë një me Atë, që për ne u bë shërbëtor,
meshtar e theror. T’i shembëllesh Atij është, në të vërtetë, detyra, për të cilën
çdo meshtar duhet ta shkrijë gjithë jetën”. Nuk është aspak e lehtë t’i ngjash
Krishtit, të bëhesh një me Të, por - i inkurajoi Papa seminaristët...:"Apoyados
en su amor, no os dejéis intimidar por un entorno en el que se … Të
ndihmuar nga dashuria e tij, mos t’ju frikësojë një ambient, që dëshiron ta përjashtojë
Zotin, ku pushteti, pasuria ose kënaqësia, janë shpesh herë parimet themelore, mbi
të cilat ngrihet e gjithë jeta. Ka shumë mundësi që t’ju përbuzin, ashtu si përbuzen
ata, që kërkojnë maja më të larta ose që ua çjerrin maskat idhujve, para të cilëve
sot përkulet shumëkush. Vetëm atëherë jeta e rrënjosur plotësisht në Krishtin, do
të duket si risi e do t’i tërheqë, me forcën e saj, të gjithë ata, që kërkojnë me
etje Zotin, të vërtetën e drejtësinë”.