2011-08-19 18:46:58

Udha e Kryqit me të rinjtë, në Sheshin de Cibeles të Madridit.


Udha e Kryqit në Spanjë, traditë fetare me karakter tejet popullor, ka prekur thellë në rrjedhë shekujsh një mori artistësh të mëdhenj, posaçërisht piktorë e skulptorë. Prej këndej, thirrjes së kardinalit Varela për ta bërë sa më të ndjeshme Udhën e Mundimeve të Zotit, iu përgjigjen menjëherë 13 Bashkëvëllazëri (Cofradías) nga të katër anët e Spanjës, duke ofruar grupet skulpturore, që janë vendosur në Sheshin Sibeles, si ikona, përmes të cilave rijetohen të 14 stacionet e Udhës së Mundimshme të Kalvarit.
Kështu Stacioni I, kushtuar “Darkës së Mbrame”, vepër e Francisko Salzilo-s (1707-1763), vjen nga Murcia; “Tradhtia e Judës” (Stacioni II), vepër e Antonio Kastilo Lastruçi-t (1882-1967) nga Malaga. Pasojnë veprat “Mohimi i Shën Pjetrit (Stacioni III); “Dënimi i Krishtit me vdekje” (Stacioni IV); “Krishti i ngarkuar me kryq” (Stacioni V); “Rrëzimi i parë nën barrën e kryqit” (Stacioni VI); “Ndihma e Cireneut” (StacioniVII) e kështu me radhë, sipas traditës së Udhës së Kryqit, deri te Stacioni XIV, “Varrosja e Krishtit”, vepër Gregorio Fernandez (1576-1636), që vjen nga Segovia.
Një varg i gjatë të rinjsh, duke mbartur Kryqin e të Rinjve, nis udhën e dhimbshme nëpër Sheshin e madh de Sibeles, duke u nisur nga Çenakulli, ku kremtohet Darka e Mbrame, deri në maje të Golgotës e tek varri. Kalon nga një grup skulpturor, tek tjetri, ndërsa lexohen meditimet, shkruar për këtë rast nga Motrat e Kryqit të Seviljes. Proçesionit i prijnë dy pishtarë, nga një për çdo sivëllazëri e dhjetë të rinj, të ardhur nga vende të ndryshme. Udha e Kryqit kujton edhe vuajtjet e të rinve në të katër anët e botës, ku vijojnë luftërat, vëllavrasjet, persekutimet për shkak të fesë, përjashtimi nga radhët e shoqërisë, drogimi, aborti, terrorizmi, katastrofat natyrore.
Në Shesh është ekspozuar edhe një grup skulpturor kushtuar Virgjërës Mari, që njihet si Zoja e Reglës së Seviljes. Kësaj Zoje, Shtatorja e së cilës është vendosur në anën e djathtë të podiumit papnor, i drejtohet lutja përfundimtare e Papës. Nga podiumi i vendosur në Sheshin e Sibeles, Papa thotë lutjen e parë dhe, në vijim e ndjek deri në fund Udhën e Kryqit. Në përfundim u drejton fjalën të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.