2011-08-19 17:27:43

Takimi me rregulltaret e reja. Papa: forca e fesë suaj, fiton mbi mediokritetin e botës.


Dita II e Shtegtimit Apostolik të Benediktit XVI në Madrid, për Takimin Botëror të Rinisë.
Papa e filloi, si zakonisht, me Meshën Shenjte, kremtuar privatisht në Nunciaturën Apostolike të Madridit. Më pas u nis drejt Pallatit Zarzuela, seli e mbretërve të Spanjës, ku i bëri një vizitë mirësjelljeje anëtarëve të Familjes Mbretërore, që kishin dalë për ta pritur në hyrje të pallatit. Takimi, mbajtur në Sallonin e Selisë, filloi me paraqitjen e familjarëve. Vijoi, pastaj, me bisedën private të Mbretit me Papën, në Studion e Madhërisë së Tij, me paraqitjen e grupit të kardinajve e të ipeshkvijve, që shoqëronin Atin e Shenjtë, me shkëmbimin e dhuratave dhe me fotografinë tradicionale, në kopshtin e Pallatit.
Në përfundim të vizitës, anëtarët e familjes mbretërore e shoqëruan Papën deri tek porta kryesore e Pallatit Zarzuela.RealAudioMP3
Në vijim Benedikti XVI shkoi në Manastirin e Shën Lorencit në Escorial, për t’u takuar me mijëra rregulltare të reja. Gjatë takimit, Papa vuri theksin mbi moton e vetë Ditës XXVI Botërore të Rinisë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”. U ndalua edhe tek rrugët e ndryshme të jetës apostolike, përmes të cilave realizohet kjo rrënjosje, duke kujtuar edhe vendin e jashtëzakonshëm, Manastirin, ku mbahej takimi, vend që ruan shumë kujtime e shumë vlera, ndërmjet të cilave, Biblioteka:
“Në se Biblioteka e tij e mirënjohur ruan botime të rëndësishme të Shkrimit Shenjt e të rregullave monastike të familjeve të ndryshme rregulltare, edhe jeta e murgeshave ruan Fjalën e Zotit, që kumbon sipas formave të përshpirtërisë së Urdhërave të ndryshme”.
E Papa nënvizoi se çdo karizmë, është një fjalë ungjillore, që Shpirti Shenjt ia kujton Kishës së Tij:
“Jeta rregulltare lind nga dëgjimi i Fjalës së Zotit... Prej saj buron çdo karizmë; e çdo rregull përpiqet të jetë shprehje e saj, duke krijuar rrugë të reja të jetës së krishterë, kushtuar plotësisht Ungjillit. T’i kushtohesh plotësisht Ungjillit, do të thotë t’i kushtohesh plotësisht vetë Krishtit, të kesh fe të patundur. Të jesh i rrënjosur e i bazuar në Krishtin, në jetën rregulltare, do të thotë të shkosh deri në rrënjën e dashurisë për Jezu Krishtin, ta duash me gjithë zemër, pa i mohuar asgjë kësaj dashurie”.
Duke kujtuar Rregullën e Shën Benediktit, Papa i ftoi rregulltaret e reja t’i përkasin plotësisht Krishtit, ta jetojnë jetën e tyre rregulltare...:
.. si e jetuan shenjtorët; sipas stilit të Shën Rozës së Limës e të Rafael Arnaiz, të rinj e pajtorë të kësaj Dite Botërore të Rinisë”.
Më pas Papa kujtoi se radikaliteti ungjillor shprehet në misionin, që Zoti i beson secilës rregulltare, duke nisur nga jeta kundruese, jeta e kiostrit, ku Fjala e Zotit jehon në heshtjen shprehëse e adhurohet në bukurinë e vetmisë, ku banon Ai vetë, e duke vijuar tek hedhja e farës ungjillore përmes edukimit të fëmijëve e të të rinjve, përmes kujdesit për të sëmurët e pleqtë, shoqërimit të familjeve në impenjimin e tyre për mbrojtjen e jetës, dëshmimit të së vërtetës, kumtimit të paqes e të dashurisë së krishterë, impenjimit misionar, ungjillëzimit të ri e fushave të tjera të apostullimit kishtar:
“Kisha ka nevojë për besnikërinë tuaj rinore, të rrënjosur e të bazuar në Krishtin. Ju falenderon, që ia kushtoni plotësisht e përherë gjithë jetën thirrjes së të Dashurit”.
Kështu u shpreh Benedikti XVI dhe në përfundim të takimit theksoi se ka besim të plotë në kontributin e rregulltarëve e të rregulltareve për ungjillëzimin e ri. Ata nuk do ta lënë vetëm Papën, por do ta ndihmojnë ta mbartë Kryqin e Krishtit:
“E gjithë kjo merr një rëndësi të veçantë, përballë relativizmit dhe mediokritetit të kohës sonë, që shpesh bëhet “eklips i Zotit”, ose “harresë”, për të mos thënë, refuzim i mirëfilltë i krishterimit e mohim i thesarit të fesë së marrë përmes Pagëzimit. Lind, kështu, nevoja për qëndrimin ungjillor radikal, i cili i dëshmon botës se shugurim do të thotë t’i përkasësh plotësisht Zotit, që vihet e duhet mbi gjithçka”.








All the contents on this site are copyrighted ©.