2011-08-19 11:53:37

Programi i ditës së dytë të Papës në DBR-së në Madrid


E premte, 19 gusht.Në ditën e dytë të tij në Madrid, Papa, pas kremtimit të Meshës Shenjte, privatisht, në kapelën e Nunciaturës (ora 7.30), u bën një vizitë kortezie sovranëve të Spanjës në Pallatin de la Zarzuela (ora 10.00). Në përfundim të saj, Benedikti XVI shkon drejt El Escorial-it, kompleks monumental 50 km larg Madridit, ku e presin dy takime: ai me të rejat rregulltare në Patio de los Reyes (ora 11.30), gjatë të cilit Papa i përshëndet dhe flet me murgeshat, si edhe ai me të rinjtë pedagogë të universitetit në Bazilikën e shën Lorencit (ora 12.00). Ati i Shenjtë mban fjalim edhe para tyre. Pasi kthehet në Nunciaturë, Benedikti XVI drekon me një delegacion nga të rinjtë e DBR-së, në Sallonin e Ambasadorëve (ora 13.45).
Pasdite, në po atë Sallon të Nunciaturës Apostolike në Madrid, Ati i Shenjtë ka një takim zyrtar me kryeministrin spanjoll, José Luis Rodrìguez Zapatero (ora 17.30); në përfundim të bisedimeve, Papa largohet nga nunciatura për të shkuar në Plaza de Cibeles, ku merr pjesë në Udhën e Kryqit me të rinjtë (ora 19.30). Edhe këtu mban një fjalim. Një grup të rinjsh mban Kryqin e DBR-ve, ndërsa lexohen meditimet e shkruara për këtë rast nga motrat e Kryqit të Seviljes. Grupi përbëhet nga 10 të rinj të vendeve të ndryshme. Gjatë Udhës së Kryqit i bëhet jehonë vuajtjes së të rinjve në të gjithë botën, për shkak të luftrave, vëllavrasjeve, persekutimeve fetare, mënjanimit, drogës, abortit, terrorizmit, katastrofave natyrore. Pas Udhës së Kryqit (ora 21.00), Papa kthehet në nunciaturë. Në vende të ndryshme të Madridit, vazhdon edhe sot, Dita e tretë e katekizmit të ipeshkvijve me temën: “Dëshmitarë të Krishtit në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.