2011-08-18 12:08:47

Çelësi i fjalëve të Kishës: feja!


Papa Benedikti XVI mbërriti sot në Madrid për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, që po zhvillohet në kryeqytetin spanjoll me temën ”Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë ne fe”. Është pikërisht feja e të rinjve në qendër të këtyre ditëve, të cilët shtypi spanjoll i ka quajtur ”ditët e krenarisë katolike”. Por ç’do të thotë ”fe” për një të krishterë? Ky është argumenti, që do të trajtojmë në emisionin e 108-të të ”Çelësit të fjalëve të Kishës”.
”Tani veç mbetet feja, shpresa e dashuria –këto të tria” (1 Kor 13,13). Më këtë frazë drejtuar Korintianëve, shën Pali Apostull përcaktonte tri virtytet teologale, të cilat nisin me fenë e arrijnë kulmin me dashurinë. Të flasësh për fenë do të thotë të mbushësh faqe e faqe të tëra, pasi ajo është shpirti i besimit në Zotin e boshti i Biblës. Ne do të përpiqemi ta shpjegojmë – në mënyrë të kufizuar – duke paraqitur disa çifte fjalësh tematike. I pari është ai, që bashkon fenë me Hirin hyjnor. Parësor në këtë çift është pa dyshim Hiri, shprehje e dashurisë hyjnore. Njeriu, i shndritur dhe i nxitur nga Hiri hyjnor, i përgjigjet Zotit lirisht, duke e pranuar, ose duke e refuzuar. Pranimi i Zotit është feja, ”pìstis” në greqishten e Besëlidhjes së Re, që do të thotë pikërisht ta pranosh dashurinë e ta kthesh atë.
Ky përqafim e shndërron njeriun, sepse Zoti dikon në të ”Shpirtin” e vet, jetën e vet, duke e bërë bir në shpirt. I vjen kështu radha çiftit të dytë, feja e besimi. Fjala hebraike që do të thotë besim, është në bazën e fjalës sonë ”amen” e tregon mbështetjen plot besim në fjalën e në praninë e një personi. Feja ka natyrisht një përmbajtje objektive, që na është zbuluar përmes Biblës e është thelluar nga Tradita e krishterë, por është edhe pranimi subjektiv i një personi. Nuk është vetëm ”fjalë”, por edhe ”rrugë” jete, si udha dramatike e Abrahamit, i cili i ngjitet malit Moria, duke i besuar e duke iu bindur Zotit, megjithëse fjala e tij i dukej e errët dhe e mistershme (Zan 22; Heb 11,8).
Feja e arsyeja është çifti i tretë, shumë i dashur për Papën Benedikti XVI, por edhe titull i një enciklike të të Lumit Gjon Pali II (1998). Në Letrën drejtuar Hebrenjve thuhet se ”feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet, të njihen sendet që nuk shihen”(11,1). Pra, nga njëra anë, është t’ia besosh veten shpresës e, nga ana tjetër, është ”prova” apo ”argumentum”, siç e quante shën Jeronimi, i pasuar më vonë nga Dante, i cili e perifrazon kështu Biblën: ”Fe e substancë e gjërave të shpresuara, dhe argument i atyre që nuk shihen”(Kënga e Parajsës XXIV, 64-65). Shën Agustini pohonte se ”feja, nëse nuk mendohet e argumentohet, nuk është asgjë”.
Çifti i fundit është ai i fesë dhe veprave, një lidhje themelore për shën Palin Apostull. Sipas tij, nuk janë veprat tona që na shëlbojnë, pasi shëlbimi është ”shumë më tepër”, na bën pjesëmarrës në jetën hyjnore. Ja teza e tij, përshkruar më së miri në Letrën drejtuar Galatasve: ”Njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ’askush nuk mund ta fitojë drejtësinë’ me anë të veprave të Ligjit” (2,16). Pra, veprat nuk janë shkak, por fryt i shëlbimit: ”Fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5,22-23).
Por, edhe shën Pali i konsideron të nevojshme veprat, pasi ato tregojnë vërtetësinë e fesë së njeriut, siç shihet nga frytet, që bëjnë të lindin në zemrën e tij, shenjë e qartë e fesë. Shën Jakobi e thekson më tej këtë aspekt, duke nënvizuar se feja e njeriut shihet pikërisht nga veprat e tij. Në Letrën e Jakobit shkruhet: ”Ç’dobi… nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat?... A dëshiron ta kuptosh, more qyqar, se feja pa vepra është e pafrytshme?... A po shihni se njeriu shfajësohet me vepra e jo vetëm me fe” (2,14-24). Pavarësisht nga rëndësia e veprave, vendimtare mbetet feja, pa të cilën besimi në Tënzonë reduktohet në moralizëm dhe në manifestim ritual e shoqëror. Na e tregon këtë edhe vetë Krishti, i cili para se të bënte mrekulli, i kërkonte personit të kishte fe. ”Feja jote të shpëtoi” i thotë të verbërit, që i kërkon ta shërojë. E i verbëri pa. Edhe në fjalimin e tij të parë publik, Jezusi bën thirrje: ”Kthehuni e besojini Ungjillit” (Mk 1,15), thirrje e vlefshme sot e kësaj dite për të gjithë njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.