2011-08-18 13:48:54

Papa: të rinjtë të shqetësuar për punë dhe të ardhmen e tyre, meritojnë respektin e të gjithëve


Papa Jozef Ratcinger posa mbërriti në Madrid i përshëndeti të gjithë banorët e Madridit e të gjithëve u kërkoi respekt për të rinjtë e Ditës Botërore të Rinisë ( të cilët dje pësuan fyerje të rënda gjatë manifestimit të “indignatos”). “Që tani përshëndes përzemërsisht – tha Papa – të miqtë e dashur spanjollë e madrilenë e edhe ata që kanë ardhur prej vendeve tjera. Gjatë këtyre ditëve do të bashkohem me ju, duke pasur mirë parasysh të gjithë të rinjtë e botës, posaçërisht ata që kalojnë sprova të ndryshme”.
Për Papën teolog, DBRS-së do të shërbejë e jetë “ndihmë për dishepujt e ri të Jezusit që të qëndrojnë të fortë në fe e të marrim mbi vete aventurën e mrekullueshme për ta kumtuar e dëshmuar Krishtin haptazi me jetën personale” .
E Benedikti XVI e di se “shumë të rinj e shikojnë të ardhmen me shqetësim, për shkak se gjenden para vështirësisë së gjetjes së një pune të denjë, apo sepse është humbur vendi i punës apo për arsye se puna është me afat të caktuar dhe e paqëndrueshme”. Papa Benedikti XVI nënvizon këtë aspekt në fjalimin e tij të parë shqiptuar në aeroportin Barajas të Madridit, ku mbërriti për të kremtuar me të rinjtë e mbarë botës Ditët e 26-të të Rinisë që zhvillohen në kryeqytetin spanjoll deri të dielën e ardhshme.
“Të rinj të tjerë – vijoi Ati i Shenjtë Ratcinger, duke folur në praninë e Mbretit të Spanjës Juan Carlos e të kryeministrit Josè Zapatero – kanë nevojë të jenë të njoftuar e këndej të qortohen që të mos bien në rrjetin e drogës; apo të kenë asistencën e nevojshme, nëse, fatkeqësisht, kanë rënë në këtë rrjetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.