2011-08-18 12:07:58

Pajtorët e DBR-së në Madrid: shën Gjoni i Avilës dhe shën Gjoni i Kryqit


Të dashur dëgjues, vazhdojmë edhe sot udhëtimin tonë në jetën e Pajtorëve të DBR-së së Madridit. Në ditët e kaluara, ju folëm për Zojën e Almudenës, bashkëshortët shën Isidro Labrador dhe shën Maria de la Cabeza, shën Injacin e Lojolës dhe shën Françesk Saverin. Sot, do t’ju flasim për dy Pajtorë të tjerë të rinisë shumëngjyrëshe, që festoi ardhjen e Papës në kryeqytetin spanjoll: për shën Gjonin e Avilës dhe për shën Gjonin e Kryqit.
Shën Gjoni i Avilës është shembulli i meshtarit të shenjtë, që u paraqitet të rinjve si pikë referimi e shembull. Figurë e shquar për shkrimet e tij biblike, teologjike, shpirtërore e humaniste, shën Gjoni i Avilës njihet për predikimet, që kthyen shumë njerëz në fenë e Krishtit. “Mësuesi i Avilës”, siç e quanin, pati një këndvështrim të veçantë mbi shën Marinë, e cila është ajo, që tregon rrugën drejt shëlbimit, dhënë si model botës nga vetë Zoti. Mariologjia e shën Gjonit është krejtësisht në sintoni me magjisterin e Koncilit II të Vatikanit e me mësimet e papëve. Shën Gjoni i Avilës është pajtor i klerit shekullar spanjoll.
Shën Gjoni i Kryqit, karmelitan, ndoqi gjurmët e shën Terezës së Jezusit, në kohën kur ajo impenjohej në reformimin e këtij Urdhëri rregulltar. Mori pjesë në bashkësinë e parë të të reformuarve, në Karmelitanët e Zbathur. Nuk i munguan sprovat nga ana e Inkuizicionit e madje, edhe nga ana e sivëllezërve të vet. U burgos e u torturua, duke vuajtur jashtëzakonisht shpirtërisht, vuajtje, që i shprehu në këngën “Nata e errët e shpirtit”. Shkroi edhe vepra të tjera poetike dhe arriti të bëhej epror i urdhërit të karmelitanëve, që më në fund, mësuan ta nderonin për shenjtërinë e jetës së tij. Vdiq në moshën 49 vjeçare e më vonë, u shpall shenjt e doktor i Kishës. Njeriut të sotëm, shenjti i kujton revolucionin e vërtetë të krishterë: mbi padrejtësinë fitohet me dashuri, së keqes i duhet përgjigjur me dashuri dhe falje, vuajtja shndërrohet në mundësi për t’u pasuruar shpirtërisht e për ta shenjtëruar jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.