2011-08-18 12:10:20

DBR-ja e Madridit: tension ndërmjet shtegtarëve dhe manifestuesve për koston e vizitës së Papës, e cila është krejtësisht në ngarkim të Kishës


Mbrëmë, në prag të mbërritjes së Benediktit XVI në Spanjë për Ditën Botërore të Rinisë, në Madrid, në Puerta del Sol, pati tensione ndërmjet të rinjve shtegtarë dhe rreth 5 mijë “indignados”-ve, siç quhen manifestuesit, të cilët prej kohësh protestojnë kundër masave për kapërcimin e krizës ekonomike. U desh ndërhyrja e policisë, e cila, në fund të fundit, arrestoi vetëm një të ri, që akuzohet se ka hedhur një shishe kundër agjentëve. Kësaj radhe, “indignados”-it protestonin kundër kostos, sipas tyre tepër të madhe, që kontribuesve spanjollë u duhet të paguajnë për vizitën e Papës. Gazetat kanë vënë në dukje se vetëm vizita e Atit të Shenjtë, pa impenjimin policor e të sigurisë, do të kushtojë 50.5 milion euro.
Në të vërtetë, siç e ka thënë gjithnjë Kisha Katolike, por siç e theksoi sërish zëdhënësi i qeverisë spanjolle, Hosè Blanko, shteti iberik nuk do të paguajë asgjë për vizitën e Benediktit XVI. Kostoja e saj bie mbi Kishën, vetë shtegtarët e disa financues privatë. Shpenzimet për sigurinë – sqaroi ai – janë ato që paguhen edhe për çdo manifestim tjetër, duke përfshirë edhe protestat e “indignados”-ve.
Edhe më parë, kjo çështje është sqaruar nga drejtori financiar i DBR-së, Fernando Himenez Barriokonal, i cili ka vënë në dukje madje, përfitimin që do të ketë ekonomia spanjolle nga prania e të rinjve. Që sot, dyqanet ushqimore kanë vështirësi për t’i furnizuar të rinjtë me ujë e bukë, të cilat mbarojnë menjëherë.







All the contents on this site are copyrighted ©.