2011-08-18 18:07:46

Benedikti XVI në festën e mikpritjes së të rinjve në Madrid: “Ndërtojeni jetën mbi themelin e patundur, mbi Krishtin”


Një det me të rinj e priti Papën në Plaza de Cibeles të Madridit, në orën 19.30, me dëshirën për të qenë pranë tij në kremtimin e Liturgjisë së Fjalës e për t’i uruar mirëseardhjen në mesin e popullit të Ditës së 26-të Botërore të Rinisë. Para se të takohej me të rinjtë, siç e thamë edhe në fillim, Benediktit XVI iu dorëzuan çelësat e kryeqytetit spanjoll, në “Puerta de Alcalà” të sheshit të Pavarësisë, e ndërtuar që në vitin 1599 e më pas, e rindërtuar sipas modelit të Harkut të Triumfit, një nga më kryesoret për të hyrë në qytet, së bashku me portat e Toledos, të Segovies, të Bilbaos e të Atoçës. I shoqëruar nga disa të rinj e nga kardinali-kryeipeshkëv i Madridit, Papa kaloi nën harkun qendror të Portës së Alkalasë dhe mbolli një ulli, duke iu referuar kështu temës së DBR-së: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”. Një kalorës i skuderisë së njohur “Real Escuela de Caballerìa”, pas një shfaqjeje me kuaj, i dorëzoi Atit të Shenjtë një dhuratë.
Pasi kaloi në Plaza de Cibeles, vetëm 500 metra larg Portës së Alkalasë, për t’u zhytur në entuziazmin e të rinjve, Papa i përshendeti dhe i falenderoi të pranishmit e organizatorët në disa gjuhë. Edhe të rinjtë, përfaqësues të pesë kontinenteve, i ofruan Benediktit XVI dhuratat e tyre: bukë e kripë, polakja; kurorë me lule, australiani; oriz, koreania; ponçon tipik, hondurasi; disa kokrra kafeje në një gjethe bananeje, guineania.
Në homeli, Benedikti XVI u ndal mbi rëndësinë e dëgjimit e të zbatimit të fjalëve të Jezusit. Ato “duhet të arrijnë në zemër, të bëjnë rrënjë në të e të farkëtojnë krejt jetën. Nëse nuk bëhet kjo, mbeten bosh e pa kuptim… Mësuesi që flet – vazhdoi Papa – nuk na mëson ç’ka dëgjuar nga të tjerët, por ç’është Ai vetë, i vetmi që njeh vërtet rrugën e njeriut drejt Zotit, sepse Ai vetë e ka hapur atë për ne, e ka krijuar që të kemi një jetë autentike, atë që ia vlen të jetohet në çdo rrethanë e, që as vdekja nuk e shkatërron dot”. Mos ndërtoni në rërë – u citoi Papa të rinjve Ungjillin – por në shkëmb të fortë: “Përfitoni nga këto ditë për ta njohur më mirë Krishtin e për të arritur sigurinë se, të rrënjosur në Të, entuziazmi dhe gëzimi juaj, dëshirat tuaja për të shkuar më tej, për të arritur majat e larta, deri te Zoti, kanë gjithnjë të ardhme të sigurtë”.
E duke iu referuar suksesit të jashtëzakonshëm që patën ditët kushtuar Sakramentit të Rrëfimit e të Pajtimit, të cilat paraprinë ardhjen e Papës, por që vazhdojnë akoma, me radhë të gjata të rinjsh para rrëfyestoreve, Benedikti XVI theksoi: “Para dobësive tona mbështetemi në mëshirën e Zotit, i cili është gjithnjë gati të na japë dorën e faljen përmes Sakramentit të Pajtimit. Duke e ndërtuar mbi shkëmb, jo vetëm jeta juaj do të jetë e qëndrueshme dhe e patundur, por do të kontribuojë në projektimin e dritës së Krishtit mbi bashkëmoshatarët tuaj e mbi krejt njerëzimin, duke u treguar një alternativë të vlefshme atyre, që e kanë lënë veten pas dore, për shkak se themeli, baza e jetës së tyre është e lëkundshme”.
Ka shumë vetë – vazhdoi Ati i Shenjtë në homelinë e tij – që duke besuar se janë zot, mendojnë se nuk kanë nevojë për rrënjë, as për themele, por vetëm për vetveten. Do të dëshironin të vendosnin vetë se ç’është e vërtetë ose jo, ç’është e mirë dhe e keqe, e drejtë dhe e padrejtë; të vendosnin cili është i denjë për të jetuar, ose për t’u flijuar në eleterin e perspektivave të tjera; do të donin ta kthenin çdo çast në një hap të rastit, pa ndonjë qëllim të caktuar, duke u udhëhequr nga impulsi i momentit. Këto tundime – nënvizoi Papa – në të vërtetë, çojnë drejt diçkaje, që avullon, ashtu si jeta pa horizont, ose si liria pa Zot.
“Hyji – theksoi Benedikti XVI – dëshiron një bashkëbisedues të përgjegjshëm, dikë që mund të dialogojë me Të e ta dojë. Përmes Krishtit mund ta realizojmë me të vërtetë këtë dhe, të rrënjosur në Të, mund t’i japim krahë lirisë”. Në përfundim, thirrja drejtuar të rinjve:
“Ndërtojeni jetën mbi bazën e patundur, që është Krishti. Urtia e kujdesi do t’i drejtojnë hapat tuaj, asgjë nuk do t’ju frikësojë e në zemrën tuaj do të mbretërojë paqja. Atëherë do të jeni të lum, të lumtur, e gëzimi juaj do t’u ngjitet edhe të tjerëve. Do të pyesin se cili është sekreti i jetës suaj e do të zbulojnë se shkëmbi, që mban ndërtesën, mbi të cilin mbështetet krejt ekzistenca juaj është vetë Krishti, mik, vëlla e Zoti juaj, Biri i Zotit bërë njeri, që i jep kuptim krejt gjithësisë”.

Nesër, në ditën e dytë të vizitës së tij në Spanjë, Papa do të takohet me familjen mbretërore, më të rejat rregulltare dhe me pedagogët e rinj universitarë, paradite, në kompleksin monumental të El Eskorialit. Pas drekës me të rinjtë në Nunciaturën Apostolike të Madridit, Benedikti XVI do të takojë kryeministrin Zapatero e në mbrëmje do të marrë pjesë në “Udhën e Kryqit” së bashku me të rinjtë në Plaza de Cibeles.







All the contents on this site are copyrighted ©.