2011-08-17 12:07:18

200 mijë vetë në sheshin de Cibeles për Meshën e fillimit të Ditës së 26-të Botërore të Rinisë


Me Eukaristinë e kremtuar mbrëmë nga kardinali-kryeipeshkëv i Madridit, Antonio Maria Rouko Varela, filloi Dita e 26-të Botërore e Rinisë, me temë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”, marrë nga Letra e shën Palit Apostull drejtuar Kolosianëve. Sheshi de Cibeles ishte mbushur plot e përplot. Të rinjtë morën pjesë në meshën e bashkëkremtuar nga 800 ipeshkvij, kryeipeshkvij e kardinaj si edhe nga rreth 8 mijë meshtarë, të ardhur nga të katër anët e botës. Gjatë liturgjisë u përdor një Ungjill, ku ruhet një relike e çmuar: është ampula me gjakun e të Lumit Gjon Pali II. Mesha e mbrëmshme iu kushtua pikërisht themeluesit të DBR-ve.
“Jeni brezi i Benediktit XVI” u tha kardinal Rouko Varela të rinjve të turmës shumëngjyrëshe mbledhur në zemër të Madridit, ardhur nga 193 vende të pesë kontinenteve, me shenjë dalluese çantën portokalli në shpinë. Bën vapë, 40 gradë gati të padurueshme. Kryeqyteti spanjoll pret Papën. Në qendër nuk mund të kalojnë makinat e nëpër rrugë janë në gatishmëri 10 mijë policë e agjentë të Guardia Civil.
DBR-ja quhet festë e “krenarisë katolike” nga shtypi spanjoll. Mbrëmë, kardinali Rouko Varela, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Spanjës, u tha të rinjve: “Jeni shpresa dhe e ardhmja e Kishës”. Këto ditë përshkohen nga feja, gëzimi e shpresa, siç dëshmojnë të rinjtë nga Madridi, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Vij nga Austria. Jam këtu me një grup të rinjsh, që vë në skenë shfaqje mbi Biblën. Tani që jemi këtu, duam të takojmë miq të tjerë, Papën e Jezusin. Ka shumë të rinj e është lehtë të njohësh të tjerë. Kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë, pasi në Austri, nganjëherë, besimtarët ndihen të vetmuar: këtu mund të shohin se janë shumë ata të rinj, që besojnë në Zot. Të shohim tani, se ç’dëshiron t’i thotë Zoti zemrës sonë. Jemi të gëzuar e falenderojmë Hyjin.

Jam këngëtar i operës; jam spanjoll; jam lindur në Madrid, por jetoj në SHBA-të. Unë këndoj në fund të Udhës së Kryqit. Është diçka e realizuar me profesionistë e shumë njerëz kanë punuar për këtë projekt, me një kor prej 200 vetësh e me një orkestër prej 100 elementesh. Është një përvojë e mrekullueshme t’i çojmë botës këngën e muzikën: muzika është gjuhë universale.

Jam don Luigji Vicini. Jemi një grup nga dioqeza e Notos në Itali: 60 të rinj që përgatiten prej tre vjetësh për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe të DBR-së. Të rinjtë janë shumë entuziastë, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, që nuk mungojnë. Megjithatë, nuk çkurajohen, sepse duan të takojnë Papën e, përmes Papës e Kishës, Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.