2011-08-16 17:48:44

Dita Botërore e Rinisë në Madrid. Të rinjtë takojnë Krishtin


Filluan kremtimet e Ditës Botërore të Rinisë 2011 në Madrid. Nga të katër anët e botës, pas përgatitjes shpirtërore, me qindra mijëra të rinjtë janë mbledhur në kryeqytetin e Spanjës, ku nga dita e sotme e deri më 21 gusht kremtojnë Ditën e tyre të Rinisë mbi temën që Papa ka zgjedhur si reflektim e thellim në fenë e krishterë: “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe” (krh Kol 2,7).
Papa Benedikti XVI i fton të rinjtë të jenë të rrënjosur në Krishtin, të jenë të qëndrueshëm në fe dhe të jetojnë si dëshmitarë të Ungjillit në realitetin e tyre rinor në shoqërinë bashkëkohore. Ky mesazh i Atit të Shenjtë është i rëndësishëm, sepse në jetën e përditshme, ku nuk mungojnë propozime të ndryshme dhe tundime për të jetuar një jetë pa Zot, pa përmasën shpirtërore, pra një jetë paralele, në të cilën shpesh herë njeriu e posaçërisht i riu harron se është i krishterë, harron se besimi në Zotin nuk është çështje private, e se nuk duhet jetuar në mënyrë të fshehte. Besimi në Zotin është dhuratë që na ndihmon në jetën tonë personale, e për këtë edhe duhet t’ia transmetojmë e komunikojmë të tjerëve.
Pikërisht për këtë, Papa Ratcinger me temën e kësaj Dite Botërore të Rinisë, i fton të rinjtë dhe të gjithë të krishterët, ta jetojnë dhe dëshmojnë ditë për ditë e në çdo çast Ungjillin e Dashurisë Hyjnore . Ati i Shenjtë Benedikti XVI i fton “të gjithë të rinjtë, ata që e ndajnë bashkë me ne fenë tonë në Jezu Krishtin, si edhe ata që hezitojnë, që janë në mëdyshje apo ndoshta nuk besojnë në Të që ” ta jetojnë Ditën Botërore të Rinisë" si “eksperiencë takimi me Jezu Krishtin e ngjallur e të gjallë dhe dashurinë e Tij për secilin prej nesh”, siç shkruhet mes tjerash në mesazhin e Papës për Ditën e 26-të Botërore të Rinisë, që filloi sot në Madrid.
Të rrënjosemi, të mbështetemi e të përforcohemi si besimtarë në Krishtin, ky është propozimi, kjo është ftesa e ky është edhe synimi i të rinjve dhe i besimtarëve, që marrin pjesë në Ditët Botërore të Rinisë në Madrid. Kështu pra, nga data 16 deri më 21 gusht Dita Botërore e Rinisë do ta shndërron Madridin në një vend ku para botës do të tregohet e shndrit fytyra e Kishës përherë të re. Kjo do të ndodhë posaçërisht në ditët kur Papën Benediktin e XVI do ta shoqërojnë mase një milion të rinjsh nga mbarë bota, që mblidhen këtyre në kryeqytetin spanjoll.







All the contents on this site are copyrighted ©.