Të ngjiturit e Zojës në Qiell, sipas traditës së krishterë ndër shqiptarë
Shën Maria ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë. Kulti i Zojës mori hov
në trojet shqiptare njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore, në kulmin e
mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara nga Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin
Shën Mërisë. Kishë Zoje kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc
(Shkoder); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës);
Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë
(Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës);
Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin). Këtyre
tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet
edhe një numër i madh kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë
vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm
i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII);
Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i
ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa kisha të tjera, njëlloj të lashta. Mos të
harrojmë, shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa,
i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndësa një shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme,
është Kisha e Zojës së Crnagorës, në Letnicë. Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës
së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte,
pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell
(për të krishterët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet
më 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë festa njihet edhe si Shën Mëria e Verës,
Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe, në sa, më 4 dhjetor, festohet edhe Shën
Maria e Dimrit. Kalendari Julian e shënonte më 27 gusht, ai Gregorian, më 15.
Ishte e mbetet festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës. Sipas traditës, besimtarët
e kremtonin me shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin
tempujt e paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë, duke nisur nga Mali i Tomorrit;
Mali i Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit, afër Krujës; Maja e Kundrevicës,
në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ja si i e përshkruan
imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar
edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në
kulmin e verës:
“Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë,
kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis proçesioni, në të cilin marrin pjesë
të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij,
që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të
nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”.
Në Shqipërinë
e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit.
Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit
do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara,
vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundërën e diktaturës.
Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë
së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne,
proçesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj
dite në të gjithë botën e krishterë. Prandaj në kulmin e gushtit, kur vera përgatitet
t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet e mëdha të botës perëndimore zbrazen e njerëzit
dynden kah viset më të njohura për bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët e vendet ku
ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra arti, ku pa dyshim, do të takohen edhe me
Shën Mërinë!